Qytetarët që tërheqin para në bankomate ose kryejnë transferta do të marrin më shumë informacion në lidhje me interesat dhe komisionet që do ti mbahen.
Banka e Shqipërisë ka hartuar një rregullore të re e cila synon të që të rrisë transparencën dhe të shtrëngojë kriteret në lidhje me tarifat që aplikohen për këmbime të monedhës, veçanërisht në tërheqjet nga bankomatet dhe pagesat me kartë.
Operatorët e pagesave duhet ta publikojnë përqindjen në një mënyrë të kuptueshme dhe lehtësisht të aksesueshme, në një platformë elektronike.
Institucionet financiare, duhet t’i dërgojë qytetarëve ose bizneseve , një mesazh elektronik me informacionin e përshtatshëm.
Në këtë mënyrë para nisjes së transaksionit të pagesës, ofruesi i shërbimeve duhet t’i komunikojë klientëve shumën totale të transfertës të kreditit të përllogaritur në monedhën e llogarisë së paguesit, duke përfshirë çdo tarifë të transaksionit dhe çdo tarifë të këmbimit të monedhës, në një mënyrë të qartë, neutrale dhe të plotë.
Ndryshimet synojnë të adresojnë ankesat e shumta për kostot e larta, veçanërisht për tërheqjet cash jo vetëm për shqiptarët por edhe nga kartat e huaja, një problem i raportuar shpesh nga turistët dhe shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit. sipas rregullave të reja, klientët do të informohen gjithashtu, përpara pagesës ose tërheqjes, për shumën që do të debitohet nga llogaria e tyre dhe për shumën që do të përfitojë marrësi, në monedhën përkatëse./abcnews.al/


