Bankat japin më pak kredi për biznesin e vogël e të mesëm

schedule21:11 - 21 Prill, 2022

schedule 21:11 - 21 Prill, 2022

Nga Erblina Mile

Bizneset e vogla dhe të mesme nuk kanë arritur që të marrin hua nga sistemi bankar gjatë periudhës janar-shkurt- mars. Vrojtimi i Bankës së Shqipërisë thekson se sistemi bankar është treguar i kujdesshëm në dhënien e kredive sidomos gjatë muajit mars kur çmimet arritën nivele rekord.

Për të shmangur  problemet me kthimin e huave ,bankat janë treguar më konservatore  ndaj segmentit   të  biznesit të vogël e të mesëm i cili është prekur më shumë nga kriza e rritjes së çmimeve.

Kujdesi i shtuar i bankave në kreditimin e bizneseve, u reflektua në faktin e miratimit më të ulët të numrit të huave të kërkuara.

Po ashtu bankat reduktuan  shumën e  kredisë akorduar bizneseve,  si  edhe  shtuan  kriteret në  marrëveshjet  e  kredisë.

Nga ana tjetër bizneset kanë shtuar ndjeshëm kërkesën për marrje kredish me qëllim vijimin e investimeve por edhe për të mbuluar shpenzimet e përditshme.

Por ky qëndrim nuk ka qenë i njëjtë për bizneset e mëdha apo për  individët kryesisht për blerje banesash për të cilat bankat janë treguar më dorëlëshuar.

Bankat presin që e njëjta situatë  e kushteve të ofertës dhe kërkesës për kredi të vijoj edhe në pjesën e mbetur të vitit.

Bankat  do të vijojnë kujdesin e shtuar kundrejt kreditimit të bizneseve ndërsa pritet që për shkak të rritjes së çmimeve

kërkesa për kredi, si nga ana e bizneseve ashtu edhe e individëve, do të shtohet.

Ulja e nivelit të kredive dhe shtrenjtimi i atyre në lekë ishte e pritshme edhe si pasojë e rritjes së normës së interesit nga Banka e Shqipërisë.Pas rreth dy dekadash Banka Qendrore rriti normën e interesit nga 0,5% në 1%.

Kjo lëvizje ka dhënë efektet e para në shtrenjtimin e kredive  në lekë si dhe  në kriteret e përzgjedhjes së klientëve nga bankat.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!