Banka Europiane e Investimeve jep 65 milion euro kredi për ndërmarrjet e vogla dhe te mesme ne Ballkan

schedule12:34 - 21 Dhjetor, 2020

schedule 12:34 - 21 Dhjetor, 2020

Banka Europiane e Investimeve jep 65 milion euro kredi për ndërmarrjet e vogla dhe te mesme ne Ballkan, raporton për ABC gazetarja Erisa Zyka.

Sipas Bankës, ky transaksion siguron financime të nevojshme për kompanitë në Serbi, Shqipëri, Maqedoni të Veriut dhe Bosnjë dhe Hercegovinë dhe trajton nevojat e tyre për kapital qarkullues, likuiditet dhe investime përballë pandemisë.

Kredia e Bankës europiane të investimeve pritet të ndihmojë në mbështetjen e kompanive, ruajtjen e vendeve të punës dhe mirëmbajtjen e bizneseve të vogla në të gjithë rajonin. Kjo ndihmë gjithashtu synon zhvillimin e sektorit privat drejt konvergjencës me standardet e BE dhe krijimin e një tregu të fortë rajonal të përbashkët me rritjen e konkurrencës dhe mundësive të punësimit në Ballkanin Perëndimor.

Pritshmëritë e Bashkimit Europian në një periudhë afatsmesme, janë që rimëkëmbja ekonomike në vitet e ardhshme të stimulohet nga një zhvendosje strukturore drejt investimeve që respektojnë klimën, të qëndrueshme nga pikëpamja shoqërore dhe ekologjike.

Linja e kredisë është pjesë e paketës së Komisionit Evropian për mbështetjen financiare prej 3.3 miliardë eurosh për Ballkanin Perëndimor, nga të cilat 1.7 miliardë euro nga Banka Europiane e Investimeve janë caktuar për të mbështetur rimëkëmbjen e qëndrueshme sociale dhe ekonomike në rajon./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!