Banka e Shqipërisë reagon indirekt për shkarkimin e Arben Malajt

schedule15:59 - 17 Korrik, 2019

schedule 15:59 - 17 Korrik, 2019

Pas kërkesës së 28 deputeteve për të  shkarkuar nga detyra anëtarin e Këshillit Mbikëqyrës, Arben Malaj, për shkelje të etikës, ka reaguar Banka e Shqipërisë. Banka Qendrore nuk e përmend me emër anëtarin e saj, por sqaron rastet kur shkelet kodi i etikës.

Kodi i Etikës përcakton shprehimisht se çdo veprimtari tjetër e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës, e cila kryhet jashtë detyrave të tij të përcaktuara në Ligjin për Bankën e Shqipërisë, nuk duhet të ketë ndikim negativ mbi detyrimet që ai ka ndaj Bankës së Shqipërisë dhe nuk duhet të dëmtojë imazhin e saj” shkruhet në njoftimin për shtyp të Bankës Qendrore.

Ndërkohë Banka e Shqipërisë thotë se u ka bërë të ditur, të gjithë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës detyrimin për të mbajtur parasysh se, që nga momenti i emërimit, deri në përfundim të mandatit, ata përfaqësojnë, në çdo situatë, organin më të lartë drejtues të institucionit dhe se me deklarimet apo veprimet e tyre mund të dëmtojë imazhin e tij.

“Çdo qëndrim individual që bie ndesh me karakterin publik të rolit të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës dhe detyrimin e tyre për të promovuar besimin publik në integritetin, paanësinë dhe efektivitetin e Këshillit Mbikëqyrës, duhet detyrimisht të trajtohet si jopërfaqësues i institucionit dhe në kundërshtim me rregullat e Kodit të Etikës”, përfundon deklaratën Banka Qendrore./ABC News Albania 24/7