Banka e Shqipërisë miraton rregulloren për mbikëqyrjen e institucioneve të pagesave

schedule07:30 - 6 Prill, 2023

schedule 07:30 - 6 Prill, 2023

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë miratoi në mbledhjen e fundit rregulloren e re “Për ushtrimin e veprimtarisë dhe mbikëqyrjen e institucioneve të pagesave”.

Rregullorja përfaqëson një hap të mëtejshëm drejtim krijimit të një kuadri të posaçëm rregullator për institucionet e pagesave. Sipas rregullores, institucionet e pagesave duhet të krijojnë njësinë e kontrollit të brendshëm, si njësi organizative e veçantë e subjektit, e pavarur nga veprimtaritë, strukturat dhe personat që ajo shqyrton ose kontrollon, e cila raporton përpara këshillit mbikëqyrës ose komitetit të kontrollit të subjektit.

Gjithashtu, institucionet e pagesave duhet të kenë një drejtues ekzekutiv, që kryen funksionin e identifikimit, koordinimit dhe të administrimit të rrezikut të përputhshmërisë. Rregullorja detajon edhe kërkesat për kapitalizimin e nevojshëm të institucioneve të pagesave.

Struktura e kapitalit rregullator do të jetë e ngjashme me atë të parashikuar për bankat tregtare. Kapitali rregullator duhet të përbëhet në pjesën më të madhe nga kapitali i nivelit të parë, ndërsa kapitali i nivelit të dytë mund të përbëjë jo më shumë se 33.3% të kapitalit të nivelit të parë.

Madhësia e kapitalit rregullator do të përcaktohet në raport me volumin e përgjithshëm të pagesave të ekzekutuara nga institucioni në vitin e mëparshëm, sipas koeficientëve të detajuar në rregullore. Institucionet e pagesave që japin kredi duhet gjithashtu të llogarisin një kërkesë për kapital për rrezikun e kredisë, të paktën sa 6% e tepricës së kredive të disbursuara, duke përjashtuar transaksionet e pagesave të kryera me karta krediti.

Institucionet e pagesave mund të japin kredi në lidhje me shërbimet e pagesave, siç parashikohet në ligjin “Për shërbimet e pagesave”, por vetëm duke plotësuar disa kushte paraprake. Ato duhet të hartojnë dhe miratojnë rregullore të brendshme, me qëllim administrimin e rrezikut të kredisë, duke parashikuar kërkesa mbi çdo hap të këtij procesi, që përfshijnë analizën paraprake financiare, disbursimin, monitorimin, rishikimin e linjave të kredisë, etj.

Kredia duhet të jepet ekskluzivisht me qëllim ekzekutimin e transaksionit të pagesës. Institucionet e pagesave nuk japin kredi nga fondet e marra ose të mbajtura nga përdoruesit e shërbimeve të pagesave, por vetëm nga fondet e veta të institucionit të pagesave.

Kredia duhet të jetë afatshkurtër dhe duhet të shlyhet brenda një periudhe jo më të gjatë se 12 muaj. Përjashtim nga ky rregull mund të bëjë afati i kredisë së dhënë në lidhje me pagesat e bëra me kartë krediti, i cili mund të jetë më shumë se 12 muaj.

Rregullorja përcakton edhe rregullat për mbrojtjen e fondeve të klientëve të institucioneve të pagesave. Institucioni i pagesave siguron që fondet e përdoruesve të shërbimeve të pagesave, të mbahen në llogari kontabël të veçanta, të ndara nga llogaritë e tjera të institucionit që nuk lidhen me shërbimet e pagesave.

Fondet e klientëve mund të mbahen vetëm në aktive të sigurta, me rrezik të ulët dhe në formë likuide, ku përfshihen titujt e emetuar ose të garantuara nga qeveritë qendrore, titujt e borxhit të emetuara nga institucionet financiare të mbikëqyrura ose nga shoqëritë tregtare, me kusht që ato të kenë një shkallë të lartë të cilësisë së kredisë, si edhe kuotat në fondet e investimit që investojnë vetëm në kategoritë e mësipërme të aktiveve.

Sipas rregullores, institucionet e pagesave duhet të krijojnë dhe zhvillojnë sistemin e administrimit të rrezikut, lidhur me ofrimin e shërbimeve të pagesave, në përputhje me natyrën, vëllimin dhe kompleksitetin e veprimtarisë së tyre.

Rreziqet që lidhen me veprimtarinë e shërbimeve të pagesave përfshijnë rrezikun e shlyerjes (rreziku që shlyerja e një transaksioni pagese të mos kryhet sipas parashikimeve), rrezikun operacional (rreziku që subjekti të pësojë humbje financiare si rezultat i papërshtatshmërisë ose dështimit të proceseve të brendshme dhe të sistemeve, gabimeve njerëzore, ose i ngjarjeve të jashtme), rrezikun e kundërpartisë (rreziku që pala tjetër e përfshirë në transaksion të mos përmbushë detyrimet), rrezikun e likuiditetit (rreziku që institucioni i pagesave të ketë flukse të pamjaftueshme monetare për të përmbushur detyrimet financiare), rrezikun e tregut (rreziku që shkaktohet nga luhatjet në çmimet e tregut), rrezikun e pastrimit të parave ose financimit të terrorizmit (rreziku që institucioni i pagesave ose shërbimet që ofron, të përdoren për qëllime që lidhen me pastrimin e parave ose financimin e terrorizmit), rrezikun e kursit të këmbimit (rreziku që shkaktohet nga luhatjet në kursin e këmbimit).

Deri tani, institucionet e pagesave mbikëqyreshin bazuar në kuadrin e përgjithshëm që rregullon të gjitha institucionet financiare jo banka. Vitin e kaluar, Banka e Shqipërisë pati miratuar edhe rregulloren “Për licencimin e institucioneve të pagesave dhe institucioneve të parasë elektronike, si dhe për regjistrimin e ofruesve të shërbimit të pagesave”./Monitor

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!