Banka e Shqipërisë: Çmimet do të shtrenjtohen gjatë periudhës së festave

schedule16:02 - 14 Nëntor, 2021

schedule 16:02 - 14 Nëntor, 2021

Shqiptarët do të vijojnë të përballen me rritje të mëtejshme  të çmimeve në muajt e fundit të këtij viti. Banka e Shqipërisë  ka analizuar faktin se rritja e çmimeve të ushqimeve vlerësohet të arrijë pikun në fundvit dhe rezulton me një efektet prej 0.8 pikë përqindje në inflacion.  Për sa i përket energjisë elektrike, është supozuar  një rritje e çmimit për bizneset me 10%.

Por Efektet direkte janë llogaritur  zero për qytetarët , duke marrë parasysh faktin se nuk do të ketë ndryshim të çmimit për konsumatorët familjarë. Ndikimi në rritjen e çmimeve pritet  të transmetohet përmes kanaleve indirekte të kostove prodhuese dhe të shërbimeve. Në këtë mënyrë ndikimi në inflacion si pasojë e rritjes së supozuar me 10% të çmimit të energjisë elektrike për bizneset parashikohet të jetë rreth 0.13 pikë përqindje, i ndikuar nga pesha e vogël që energjia elektrike zë në blerjet për konsum të ndërmjetëm.

Ndërkohë që rritja e çmimit të naftës rezulton me  një efekt rreth 0.5 pikë përqindje në inflacion gjatë tremujorit të fundit 2021. Kontributi indirekt vlerësohet më i lartë, duke pasur parasysh peshën më të madhe që nafta ka në kostot prodhuese krahasuar me peshën në shpenzimet konsumatore familjare.

Nafta,  ka shënuar rritje të vazhdueshme të çmimeve gjatë vitit 2021, duke arritur në rreth 75 dollarë për fuçi në muajin shtator ose 82.1% më i lartë se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në  termat  e  ekonomisë  sonë,  efektet  e  çmimeve  të  naftës dhe të ushqimeve pritet të jenë kalimtare, si efekte direkte, ndërkohë që ndikimet indirekte, kryesisht të energjisë, varen nga masa e rritjes së çmimeve për bizneset e mëdha, fushat e aktiviteteve të tyre dhe faktin se sa bizneset do ta përkthejnë këtë rritje në çmime përfundimtare. /abcnews.al/ 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!