Banka Botërore: Pandemia rrit me 8 % varfërinë në Shqipëri

schedule15:41 - 30 Maj, 2020

schedule 15:41 - 30 Maj, 2020

Pandemia  do të varfërojë edhe më shumë shqiptarët. Në skenarin më të mirë rezulton se rreth 100 mijë qytetarë dhe në rastin më të keq  më shumë se 200 mijë individë do të pësojnë ulje të mirqënies ekonomike.

Banka Botërore ka publikuar një raport të fundit  ku analizohet   se shkalla e varfërisë në Shqipëri mund të rritet me 4 deri në 8 %, duke shkuar në rreth 40 për qind në skenarin e parë dhe 44 përqind në skenarin e dytë.

Skenari 1 i bankës botërore i referohet faktit nëse kriza zgjat 3 muaj dhe skenari 2, nëse zgjat 6 muaj. Në këtë mënyrë sipas skenarit më optimist, varfëria do të arrinte në nivelin e vitit 2012 dhe,sipas skenarit më pesimist, ajo do të ishte e barabartë me nivelin e vitit 2005.

Niveli i varfërisë Sipas Bankës Botërore do të rrisë numrin e shqiptarëve që jetojnë me  më pak se  5 dollarë  në ditë. Ndikim në këtë situatë do të ketë ulja e të punësuarve në qytete të cilët punojnë në sektorin e shërbimeve dhe pritet të humbasin një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave të tyre.

Shqipëria rezulton të jetë vendi me numrin më të lartë të personave të mbetur të papunë deri në prill për shkak të pandemisë. Papunësia në  Shqipëri deri në muajin prill sipas analizës së Bankës  Botërore  është  rritur me 25 për qind ndërsa dhe në Maqedoninë e Veriut vetëm me 11 përqind.

Shumë sektorë të industrisë, përfshirë tekstilet, minierat, qendrat telefonike dhe ndërtimi, u detyruan të zvogëlojnë veprimtarinë për shkak të zbatimit të masave për distancim social por edhe për shkak të rënies së kërkesës si rezultat i kolapsit të porosive për eksport.

Edhe emigrantët shqiptarë  pritet të preken nga kjo krizë globale, e cila do të çoj në reduktim të të ardhurave e për rrjedhojë edhe të remitancave të cilat në shumë raste shërbejnë si i vetmi burim të ardhurash për shumë familje në Shqipëri./abcnews.al