Banesa në Fier dëmtohet nga pallatet shumëkatëshe, kryefamiljari: Në gjyq prej 8 vitesh

schedule15:23 - 24 Prill, 2021

schedule 15:23 - 24 Prill, 2021

Shtëpi të bllokuara nga pallate në Fier janë me dhjetëra.

Por rasti i familjes Sulaj është i veçantë sepse kjo banesë është rrethuar nga të gjitha anët me pallate shumëkatëshe.

Të zotët e shtëpisë jetojnë në kushte të vështira, por dhe të rrezikshme për jetën e tyre.

Prej vitesh as rrezet e diellit nuk hyjnë në shtëpinë e bashkëshorteve Sulaj. Banesa e rrethuar nga pallatet shumëkatëshe në lagjen “29 Nëntori” në Fier po shembet, por të zotët e saj nuk mund të ndërhyjnë dhe as të largohen prej saj.

“Me djersë dhe me gjak i kam bërë lekët për të ndërtuar një shtëpi. Të hiqen pallatet dhe të më lënë tokën mua, se unë tokën time dua shtëpinë time ose të më japin paratë kokërr më kokërr”, thotë ai.

Të rrezikuar nga shembja e shtëpisë dhe rënia e objekteve prej kateve të sipërme të pallateve, jetojnë me frikë dhe ankth.

“Ne të vdekur jemi, me frikë tërë natën përjashta. U bënë ndërtimet ne përjashta. Këtu rrimë si në Kandahar. Çatia ka rënë. Fryn era që lart bien dërrasa. Ra tubo nga kati i 11 shpëtoi gruaja për gjysmë metër. Ranë trarë, ra betoni”, tregon një tjetër qytetar.

Stresi i vazhdueshëm ka ndikuar në shëndetin e tyre dhe për pasojë nuk u gëzuan me fëmijë.

“Fëmijë s’kemi nga hallet nga problemet që na kanë rënë. Na do Zoti, por nuk na do robi”, shprehet ai.

Dhimitrov Sulaj thotë se nuk mund të kërkojë dëmshpërblim për sa kohë që nuk ka një fajtor.

Kur pallatet po ngriheshin një nga një kallëzoi ish-kryebashkiakun, Baftiar Zeqaj që dha lejet e ndërtimit, por çështja ndaj këtij të fundit u pushua.

“Kemi hedhur në gjyq bashkinë, kryetarin e bashkisë, urbanistikën, ndërtuesit. Ka 8 vjet gjyqi që vazhdo, ndërsa Gjykata thotë heto, prokurori e pushon. E është gjyqi i 5 që po bëhet, pas zgjedhjeve ka ardhë shkresa. Ne duam fajtorin dhe më pas të kërkojmë dëmet. Se nuk dimë kujt t’ja kërkojmë. Shiko se çfarë shteti është ky edhe fajtor dhe thotë bridh nëpër gjyqe”, thotë më tej qytetari.

Bumi i ndërtimeve në Fier ka lënë shumë shtëpi njëkatëshe të bllokuara mes pallateve.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!