Bamir Topi: Ka probabilitet që Basha të zgjidhet president, por nuk e meriton

schedule21:51 - 4 Prill, 2022

schedule 21:51 - 4 Prill, 2022

Ish-presidenti Bamit Topi ka deklaruar se ka probabilitet që ish-kreu i PD Lulzim Basha të zgjidhet president. I ftuar në emisionin Log në Abc, Topi nuk e përjashtoi si mundësi, por nga ana tjetër shtoi se sipas tij Basha nuk e meriton.

“Janë dy gjëra, më bëni pyetje si probabilitet apo kërkoni mendimin tim? Si probabilitet ekziston. Te ai kam parë mungesa të forta të karakterit. Është probabël sepse është faktor me të cilin Rama mund të luajë. Por a e meriton? Nëse do pyetesha unë do votoja kundër”, tha Topi.

Maxhoranca ka nisur zyrtarisht konsultimet brenda saj për të zgjedhur kreun e ri të shtetit.

Kushtetuta e parashikon që procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës.

Ilir Meta duhet të dalë nga zyra më 24 korrik, ditën që ai bëri betimin për të drejtuar Institucionin për 5 vjet. Dhe zgjedhja e pasardhësit apo pasardhëses duhet të nisë jo më vonë se data 24 maj. Deputetëve socialistë u është kërkuar që të bëjnë propozimet për emra konkret. Që një kandidatë të futet në procedurë parlamentare duhet të marrë firmat e 20 deputetëve. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat.

Procesi duhet të zhvillohet në Kuvend, me konsultimin e të gjithë grupeve parlamentare. Për këtë PS-ja ka ngritur një grup pune, që përbëhet nga Taulant Balla, Damian Gjiknuri dhe ministrja Elisa Spiropali.

Konsultimet do të ketë dhe me deputetët demokratë. Kushtetuta parashikon 5 raunde për të zgjedhur Presidentin. Në tre raundet e para kërkohet një shumicë prej 84 votash. Nëse nuk arrihet kjo shumicë, kreu i shtetit mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë prej 71 vota ligjvënësish.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!