Presidenti Donald Trump ka rënë pre e një tjetër hetimi nga ligjvënësit demokratë. Tre panele të Dhomës së Përfaqësuesve kanë vendosur ta hetojnë atë për përbaltje të figurës së kundërshtarëve politike.
Ligjvënësit demokratë në Shtetet e Bashkuara kanë hapur një hetim për të verifikuar nëse Shtëpia e Bardhë është përpjekur t’i bëjë presion qeverisë ukrainase për të dëmtuar figurën e kandidatit demokrat për president, Xho Bajden. Sipas raportimeve të mediave amerikane, janë tre komisione të Dhomës së Përfaqësuesve, të cilat kanë kërkuar një sërë dokumentesh nga Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit mbi aktivitetet e presidentit Trump dhe avokatit të tij personal, Rudi Xhuliani. Ligjvënësit e tre paneleve druhen se Trump dhe Xhuliani, nën pretekstin për të hetuar korrupsionin janë përpjekur të përbaltin figurën e kundërshtarit politik. Kjo, pasi pak kohë më parë vetë përfaqësuesi ligjor i presidentit deklaroi se i kishte kërkuar një zyrtari në Kiev të hetonte nëse Bajden, kur ishte zëvendës president kishte ndihmuar të birin për të siguruar interesa biznesi në ish-republikën sovietike. Por në maj, prokurori i përgjithshëm i Ukrainës deklaroi se nuk ishte gjetur asnjë provë për ndonjë shkelje të Bajden, apo të birit. Nisur nga kjo, demokratët nisën të hënën aktivitetin e tyre nën dyshimin e hetimeve të motivuara politikisht. /ABC News Albania 24/7