“Balotelli ka zemër floriri, por bën si kloun! Te City e rrethonin parazitët”

schedule10:39 - 24 Nëntor, 2020

schedule 10:39 - 24 Nëntor, 2020

Micah Richards dhe Mario Balotelli kanë pasur një raport të mirë kur ishin te Manchester City. Mbrojtësi anglez vlerëson disa gjëra tek italiani, ndërkohë që tregon edhe disa nga historitë e çuditshme të sulmuesit. “Kur e pyet nëse ato që thuhen për të janë të vërtetë, ai të thotë se shumica e historive janë gënjeshtra.

Gjithsesi disa nga ato gjërat absurde kanë ndodhur me të vërtetë dhe ne nuk e dinim se çfarë ishte e vërtetë dhe çfarë jo me Marion. Ajo që është me siguri e vërtetë, është historia që ai i dha një mijë sterlina një njeriu të pastrehë në Manchester. Ai ishte i shqetësuar nga probleme të tilla.

Njëherë ai mohoi që kishte shkuar në një shkollë të merrte te drejtori një djalë që e kishin bullizuar. Unë mendoj se ajo gjë ndodhi, sepse disa njerëz më thirrën dhe me thanë që Mario ishte atje. Gjithçka thuhet për të është absurde, por ai ka zemër floriri”, thotë fillimisht Richards.

Më tej ai shton: “Ai bën rolin e kllounit, por ka një anë të tij që jo të gjithë e njohin. Mario nuk është idiot, është një djalë i zgjuar dhe harrojmë se është edhe një futbollist i shkëlqyeshëm. Pavarësisht shumë sulmuesve të talentuar që kishim te City, ai spikati. E dinte që ishte i fortë dhe thjesht uroja që ta përdorte forcën e tij.

Balotelli mendonte se për sa kohë bënte maksimumin në fushë, ajo që bënte jashtë saj nuk llogaritej. Nuk ndodh kështu dhe Mario nuk e kuptoi. Ishte kënaqësi të isha afër tij, sepse ai është gjithmonë aktiv dhe mund ta shihje që kujdesej për të tjerët. Ne u kënaqëm kur ishim së bashku, por kishte shumë parazitë përreth tij kur ishim në Manchester.

Ata nuk ishin njerëz të këqij, por nuk ishin njerëzit që dëshironi pranë kur jeni një futbollist profesionist. Çfarë pres nga e ardhmja e tij? Dua vetëm që të mos kthehet në shtëpinë time në Harrogate për të ndezur fishekzjarrët në kuzhinë përsëri, siç bëri vite më parë kur ishim shokë skuadre…”. /abcnews.al