TIRANË- Kryeministri i vendit Edi Rama, ka reaguar sërish për çështjen e pezullimit të ministres së Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Ballukut.
Ai shpjegon arsyet se pse ka kërkuar pezullimin e vendimit të GJKKO-së, të cilin e konsideron si një akt absurd.
Sipas tij, ky veprim i GJKKO ka cenuar funksionimin e qeverisë dhe interesin publik.
Kreu i qeverisë ka marrë një shembull konkret, ku thotë se Kanadaja ka kthyer përgjigje pozitive për nisjen e fluturimeve direkte me Shqipërinë, por një procedurë e tillë nuk mund të vijojë më tej për shkak se kjo çështje është kompetencë e ministrit.
“Ja konkretisht nga tryeza ime e punës sot, shembujt konkretë, krejt aktualë, pse unë i kam kërkuar Gjykatës Kushtetuese heqjen e pezullimit absurd të një anëtari të qeverisë dhe pse të pezullosh një ministër (për herë të parë në botë) sjell pasoja që cënojnë konkretisht funksionimin e qeverisë dhe interesin publik:
Kanë përfunduar diskutimet në nivel teknik dhe kthimpërgjigja pozitive e palës kanadeze, i ka hapur rrugë lidhjes së marrëveshjes dypalëshe mes Shqipërisë dhe Kanadasë për nisjen e fluturimeve ajrore transoqeanike midis dy vendeve. Mirëpo kjo procedurë, aktualisht nuk mund të vijojë me hapat e mëtejshme të miratimit e të nënshkrimit të saj, pasi autoritetin ekskluziv për këto hapa, Kushtetuta ia jep ministrit dhe kompetencat e vendimmarrëse të tij nuk mund të delegohen tek askush tjetër. Kështu që pezullimi ne fjalë, vendos një pikëpyetje të madhe mbi fillimin e fluturimeve në qershor 2026, sipas parashikimit.
Por po kështu, aktualisht, ka edhe 36 akte të tjera të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku vetëm akte për rindërtimin janë 18, të cilat mbeten të pezulluara bashkë me ministrin, ndërkohë që çdo ditë që pezullimi i ministrit zgjatet, zgjatet edhe lista e punëve të bllokuara.”, shkruan Rama.

