TIRANË- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka reaguar ndaj kërkesave të fundit të prokurorëve për masa të reja ndaj zëvendëskryeministres Belinda Ballukut, duke i cilësuar ato si të ngutshme dhe në kundërshtim me parimet e shtetit të së drejtës.
Në podkastin “Flasim”, Rama u shpreh se është “shumë kurioz” të dijë pse prokurorët, sipas tij, u nxituan t’i drejtohen Kuvendit për masa ekstreme ndaj numrit dy të qeverisë, ndërkohë që më 22 janar pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila do të shqyrtojë në themel çështjen e pezullimit nga detyra.
Ai theksoi se shteti i së drejtës nuk është një arenë për përplasje mes pushteteve të pavarura dhe as për ndërhyrje të një pushteti në territorin kushtetues të një tjetri.
“Jam shumë kurioz, pse prokurorët që u ngutën me një vrap mbresëlënës t’i drejtohen Kuvendit për masa ekstreme, në ditët e fundit, nuk e mbajtën parasysh që si fillim jemi në një çështje ballë për ballë në Gjykatën Kushtetuese më 22 janar ku gjykata më e lartë e vendit, duhet të gjykojë në themel çështjen e masës së pezullimit antidemokratik të një anëtari qeverie me kërkesë prokurorie. E ngre këtë pyetje sepse në çdo vend, ku drejtësia nuk vrapon, po gjykon, ajo do të priste fundin e gjykimit për një masë, para se të kërkonte një masë tjetër, sepse shteti i të drejtës nuk është shesh as për karshillëk mes pushteteve të pavarura, as për përsheshin e një pushteti në territorin kushtetues të një pushteti tjetër.
Sot, nuk e kam përgjigjen, por do të vazhdoj të lexoj, do vazhdoj të mësoj dhe do të vazhdoj të bëj të gjithë përpjekjet e mia që të kuptoj sa më mirë nga analiza e thelluar e simptomave të brutalitetit në ushtrimin e pushtetit gjyqësor, e me siguri do ta kem në kohën e duhur edhe përgjigjen time për sa më lart.
Por në ndërkohë, sikundër është bërë e qartë edhe në Komisionin e Mandateve në Kuvend, nuk ka asnjë gjasë që ne shumica qeverisëse dhe parlamentare e këtij vendi ta shqyrtojmë kërkesën e ngutur të prokurorëve për të autorizuar masa të reja ekstreme, të cilat edhe në dritën e raportit të ekspertëve të Këshillit të Europës, edhe në dritën e raportit të Komisionit të “torturave”të Këshillit të Europës, edhe në dritën e shumëçkaje tjetër janë vërtetë për t’u marrë dhe për t’u gjykuar me shumë qetësi, por jo pa mbaruar njëherë me themel procesi që kemi hapur në Gjykatën Kushtetuese, për masën ekstreme, për masën antidemokratike dhe antikushtetuese të pezullimit nga prokurorët që sikur s’kishte ndodhur dhe s’ka ndodhur asgjë erdhën me vrap të kërkojnë masa të tjera. Drejtësia nuk vrapon, drejtësia gjykon.”, tha Rama./abcnews.al

