Në të gjithë territorin temperaturat vazhdojnë të jenë të ulëta, ndërsa reshjet e borës kanë shkaktuar probleme në disa akse në vend.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku e ftuar në “ABC” foli për akset problematike si edhe ndërhyrjet nga autoritetet për të mundësuar lëvizjen e qarkullimeve si edhe për përmbytjet e shkaktuara në qytetin e Shkodrës pas reshjeve intensive.
Gjatë bisedës në studio, Balluku tha se përmbytjet janë ndikuar nga liqeni i Shkodrës, ndërsa shtoi se emergjencat janë në gatishmëri për të ndihmuar të gjitha familjet e përmbytura në zonën e nënshkodrës dhe jo vetëm.
“Gjatë kësaj periudhe kemi vendosur të mirëmenaxhojmë kaskadën e Drinit dhe jemi ndihmuar nga fakti që vinin nga thatësirë shumë e madhe. Shkarkimet kanë qenë minimale. Përmet Komitetit është ndjekur çdo dy orë e gjithë kaskada e Drinit dhe shkarkimet kanë qenë shumë të pakta. Sot jemi shumë larg kuotës maksimale. Hektarët që janë nën ujë të gjithë specialistët mund t’ju thonë se kanë të bëjnë me rritjen e nivelit të liqenit të Shkodrës. Ndryshimi i 2012 është se kemi pasur më shumë sipërfaqe toke të përmbytura”, tha Balluku.
Sa i përket shpërndarjes së ndihmave emergjente, Balluku tha se ka një plan të mirëfilltë dhe se po vijohet me shpërndarjen e pakove ushqimore të cilët do të jetë jo vetëm në zonën e nënshkodrës.
/abcnews.al/