Balluku: Ngrirje dhe skanim të kontratave të HEC-eve

schedule15:48 - 24 Janar, 2019

schedule 15:48 - 24 Janar, 2019

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka vendosur ngrirjen e të gjitha kontratave jo operative të Hidrocentraleve deri pas përfundimit të procesit të skanimit.

Vetëm 73 nga 182 kontratat koncesionale për ndërtim të hidrocentraleve të vegjël janë vënë në zbatim duke bërë që puna të fillojë vetëm për 96 nga 440 hidrocentrale të parashikuar. Në këto kushte Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën me dije se do të nisë një proces skanimi për çdo kontratë.

Belinda Balluku: Kam vendosur fillimin e një procesi skanimi të dokumentacionit licensues të çdo subjekti të licensuar, e po ashtu dhe skanim fizik të çdo HEC-i dhe subjekti realizues.  Ky proces do të ndiqet nga një grup pune i udhëhequr nga Zëvendësministri Z. Bonati, i cili ka bërë një punë voluminoze dhe të vyer në sektorin e ujit.

Procesi në fjalë do të bazohet në dy kritere, kriteri i përputhshmërisë ligjore dhe përmbushja e kushteve kontraktuale nga subjektet e licensuara, duke përfshirë këtu kushtet teknike dhe afatet kohore, si dhe kriteri i përputhshmërisë me kërkesat mjedisore. Ky institucion në pesë vitet e fundit ka bërë një disiplinim të madh të situatës së trashëguar, e cila ishte skandaloze, në kufijtë e kriminales, por jo vetëm e mira s’ka fund, edhe problemet e sektorit në këtë drejtim nuk janë sosur, por janë reale e shqetësuese.

 Prandaj ne, gjithashtu, do të skanojmë dhe vlerësojmë nëse kontratat ekzistuese janë në përputhje me kushtet mjedisore dhe standardet e kërkuara në zonat përkatëse. Kujtoj se konçesionarët kanë detyrim të jenë në përputhje të plotë me legjislacionin në fuqi përsa i përket mjedisit dhe kushteve mjedisore të vendosura në kontratë”.

Deri në përfundimin e këtij procesi skanimi Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku tha se ka vendosur ngrirjen e të gjithë kontratave jooperative.

Belinda Balluku: Nga ana tjetër, kam vendosur ngrirjen e të gjithë kontratave jooperative deri në daljen e raportit të skanimit të tyre. Po ashtu, do të bashkërendojmë me  Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit për një qasje ligjore dhe administrative të integruar në mënyrë që të mos përsëriten më situata ligjërisht të paatakueshme, por faktikisht të papranueshme, siç është dhe rasti i fundit në Gramsh.

 Së bashku me Ministrin Klosi do ta kthejmë rastin e Gramshit në një platformë diskutimi të hapur me komunitetin dhe do të punojmë për përmirësimin e bazës ligjore e të procedurave”.

Ministrja Balluku vuri në dukje se Hidrocentralet e vegjël kontribuojnë në ekonomi, por shpesh ato e dëmtojnë atë, prandaj duhet një ekuilibër mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes se pasurive natyrore./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!