Teksa ankimimi i kryeministrit Edi Rama për rastin e pezullimit nga detyra të zevendëskryeministres Belinda Balluku është në pritje për t’u shqyrtuar nga Gjykata Kushtetuese, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, ka ndarë sot një reflektim të gjerë pas takimit që zhvilloi më 13 nëntor me ministrin e Drejtësisë së Italisë, Carlo Nordio, në kuadër të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive Shqipëri–Itali.
Duke vlerësuar figurën e Nordio-s, një magjistrat me afro 40 vite karrierë dhe një nga protagonistët e hetimit të famshëm italian “Mani Pulite”, Lamallari shprehet se diskutimet me homologun e tij, së bashku me dhuratën simbolike, Kushtetutën e Republikës Italiane, marrin sot një domethënie të veçantë për rëndësinë e mbrojtjes së parimeve kushtetuese dhe ndarjes së pushteteve.
Në postimin e tij në rrjetin Facebook, Lamallari sjell edhe citime nga deklarimet publike të Nordio-s, i cili, duke reflektuar mbi tre dekada nga epoka e “Tangentopolit” dhe “Mani Pulite”, thekson se mjetet e përdorura atëherë janë dëshmuar “më të dëmshme se sëmundja”, duke e çuar magjistraturën drejt një kontrolli politik që rrezikoi ekuilibrat demokratikë.
Sipas Nordio-s, efekti më i rrezikshëm i asaj periudhe ishte “vendosja e magjistraturës nën ndikimin e partive politike dhe rolin e saj si ‘mbrojtëse e vendit’, deri në pikën e përmbysjes së vullnetit të kutive të votimit”. Ai thekson se nënshtrimi i politikës ndaj gjyqësorit, në përpjekje për t’i dhënë këtij të fundit një rol shpëtimtar, krijoi një konfuzion të plotë mes pushteteve, në kundërshtim me frymën e Kushtetutës italiane.
Ministri Lamallari nënvizon se ky reflektim është një paralajmërim i vlefshëm edhe sot, duke e lidhur drejtpërdrejt me nevojën për të konsoliduar shëndetshmërinë institucionale, respektimin e ndarjes së pushteteve dhe vetëpërmbajtjen ndaj mjeteve që mund të cënojnë liritë dhe të drejtat themelore.
“Rëndësia jetike e mbrojtjes së parimeve kushtetuese nuk është thjesht çështje e së kaluarës, por një detyrë e përditshme e çdo demokracie”, përfundon ministri Lamallari.
Më poshtë publikimi i tij i plotë në rrjetin social Facebook.
Në takimin midis dy qeverive Shqipëri – Itali, më 13 nëntor pata mundësinë të takoja dhe diskutoja me homologun 🇮🇹 Carlo Nordio, një magjistrat karriere prej rreth 40 vite përvojë dhe një prej protagonistëve të hetimit ‘Mani Pulite’. Shqetësimet e shprehura hapur tashmë prej tij, si refleksion mbi mëse tre dekada, si dhe dhurata simbolike – Kushtetuta e Republikës Italiane, sot marrin një kuptim të veçantë mbi rëndësinë jetike të mbrojtjes së parimeve kushtetuese, konsolidimit të shëndetshëm të institucioneve në respekt të përcaktimeve themelore mbi ndarjen e pushteteve dhe domosdoshmërinë për vetëpërmbajtje ndaj mjeteve të gabuara që mund të cënojnë këto parime, liri dhe të drejta, të gdhendura në ligjin themeltar!
🇦🇱 “Tangentopoli ishte sëmundja, dhe Mani Pulite ishte kura. Edhe pse kjo e fundit, siç ndodh shpesh, është treguar më e dëmshme se e para.”
Tridhjetë vjet pas Tangentopolit, jemi shumë larg projektit për të rikthyer ligjshmërinë në institucione. Mjetet e përdorura përmes proceseve të Mani Pulite janë treguar më të këqija se e keqja që duhej të shëronin…Por efekti anësor më i rrezikshëm ka qenë vendosja e magjistraturës në kontroll të partive dhe në rolin e “mbrojtësit” të vendit, deri në pikën e përmbysjes së verdiktit të kutive të votimit dhe ndryshimit të ekuilibrave parlamentare. Një legjitimitet i tillë është mundësuar nga nënshtrimi i frikshëm i politikës, e cila ka dashur t’u japë togave një rol shpëtimtar dhe vendimtar. Në këtë mënyrë, ndarjes së pushteteve të parashikuar nga Kushtetuta i ka zënë vendin një konfuzion pothuajse i plotë mes tyre.”

