Belinda Balluku do të qëndrojë në detyrë, pavarësisht se pezullimi i saj u rikthye nga vendimi kontrovers i Gjykatës Kushtetuese. Kryeministri Rama iu tha deputetëve të shumicës se do të ndryshojnë Kodin Penal, që të pamundësojë pezullimin e atyre që mandatohet në detyrë nga Presidenti i Republikës.
Deri në ndryshimin e Kodit Penal, kërkesa tjetër e Prokurorisë së Posaçme për heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres do të duhet të presë.
Avokati i njohur Edmond Petraj, i ftuar në “Tirana Live”, u shpreh se është emergjente bërja e disa ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale.
Ai theksoi se përfaqësuesit e zgjedhur me votën e popullit nuk mund të pezullohen nga pushteti gjyqësor, ndërsa ndryshimet ligjore janë të domosdoshme për të rregulluar raportin mes pushtetit ekzekutiv dhe atij gjyqësor.
Avokati kritikoi gjithashtu qëndrimin e Gjykatës Kushtetuese, duke deklaruar se ajo nuk mori një vendim të qartë, por duhej ta kishte dërguar çështjen për opinion në Komisionin e Venecias. Sipas tij, mosmarrja e një vendimi përbën një absurditet dhe cenon autoritetin e Gjykatës Kushtetuese.
“Kodi i Procedurës penale duhet ndryshuar. Duhet ndryshim konkrete real, që mos të fusin duart për herë të dytë.Të gjithë të zgjedhurit duhet të kenë imunitet dhe s’mund të jenë pjesë e pezullimit apo arrestimit.
Të zgjedhurit me votën e popullit nuk mund të pezullohen nga gjykata. Ndryshimet janë të nevojshme për të rregulluar raportin ekzekutiv-gjyqësor. Gjykata Kushtetuese nuk mori vendim, por ajo duhet t’ia dërgonte për opinion Komisionit Venecias. Kjo do të ishte krejt normale.
Një vendim pa vendim, mua më duket absurditet. Gjykata Kushtetuese mblidhet për këto gjëra, për të vendosur kemi tejkalim kompetencash apo jo. Gjykata Kushtetuese kishte autoritetin dhe dinjitetin për të mos u bërë palë e një përqeshjeje masive. Duhet të jepte vendim për këtë gjë. U detyrua mazhoranca të vinte vijën e demarkacionit, sepse Gjykata Kushtetuese nuk e vendosi dot”, tha ai.


