Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli ndoqën nga afër ecurinë e punimeve në lotin numër 6 të Unazës së Madhe të Tiranës.
“Ecuria e punimeve është e kënaqshme, është sipas grafikut. Ka kaluar 70% e realizmit fizik. Kanë përfunduar të gjitha gërmimet, masat mbrojtëse me mure, ka përfunduar pothuajse nyja në rrugën “Myslym Keta”, e cila na lidh me Rrugën e Arbrit e do jetë dhe një portë hyrëse për Tiranën. Ka filluar stabilizanti dhe me përfundimin e tij, nga mesi i muajit tetor, mund të fillojnë dhe shtresat asfaltike”, tha Gjyli.
Zëvendëskryeministrja, Balluku e vendosi theksin tek ritmi i punimeve për të bërë të mundur finalizimin në kohë të kësaj vepre të rëndësishme, jo vetëm për kryeqytetin. Në fund të vitit, tha Balluku, e gjithë vepra, ashtu sikundër është premtuar, duhet të jetë gati dhe e aksesushme. “Ne kemi vendosur një afat për të gjithë Unazën, e cila duhet të përfundojë brenda këtij vitit. Ndaj është shumë e rëndësishme, të kemi një koordinim mes palëve duke qenë se këtu kemi disa lote që punojnë njëkohësisht”, u shpreh Balluku.
Zhvendosja e linjave të transmetimit dhe shpërndarjes së energjisë ka qenë një tjetër sfidë në këtë projekt, ku OST dhe OSSH kanë pasur një rol të rëndësishëm dhe kanë ndërhyrë shpejt për të mos krijuar vonesa në ecurinë e kantierit. Segmenti do të jetë i kategorisë A, ku shpejtësia e lëvizjes së automjeteve do të jetë e lartë, ndërsa do të ketë pjesë të tij edhe elementet urbanë, gjelbërim, ndriçim.
“OSSH-ja dhe OST-ja kanë pasur një rol të rëndësishëm në të gjithë pjesën e dytë të unazës, nga ‘Shqiponja’ dhe deri në rrethrrotullimin e Dajtit, që më pas lidhet edhe me pjesën tjetër, atë të segmentit që lidhet me zonën e Bërrylit. I është dashur si Operatorit të Transmetimit, ashtu edhe Operatorit të Shpërndarjes që të jenë pjesë e grupeve të punës për të lëvizur disa nga linjat kryesore, si ato të transmetimit dhe ato të shpërndarjes, dhe madje edhe duke i përmirësuar ato. Aty ku i kemi pasur ajrore i kemi kaluar nëntokësore me ABC. Ky bashkëpunim ka qenë i shkëlqyer, nuk na ka krijuar fare vonesa dhe duhet thënë që është shumë e rëndësishme në raste të tilla që të gjithë komponentët të koordinojnë”, nënvizoi Balluku. Loti 6 ka një gjatësi prej 1.3 kilometrash dhe nis pas rrethrrotullimit të rrugës Tiranë-Dajt. Aksi është vendosur në shtratin e përroit, i cili është përfshirë brenda një koletori betonarme.