Balluku inspekton punimet në tunelin e Llogarasë: Hapet për qarkullimin në qershorin e 2024

schedule14:30 - 24 Maj, 2023

schedule 14:30 - 24 Maj, 2023

Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi sot ecurinë e punimeve në tunelin e Llogarasë.

“Është shumë e rëndësishme që ky tunel kur të përfundoj, ashtu siç e kemi premtuar, në qershor të 2024, të gjitha veprat infrastrukturore të jugut të Shqipërisë do të jenë të ndërlidhura. Bypassi i Vlorës do të jetë i ndërlidhur si me rrugën e aeroportit, pra ajo rrugë e cila del në autostradën Fier-Vlorë, do të jetë i lidhur edhe me koncesionin Orikum-Dukat dhe Orikum-Dukati do të jetë i lidhur me hyrjen e tunelit të Llogarasë dhe ndërkohë dalja e Palasës do të jetë e lidhur me rrugën Palasë-Dhërmi”, nënvizoi Balluku, ndërsa shtoi se punimet në këtë tunel plotësojnë kriteret e Bashkimit Europian.

“Ky është një tunel që plotëson të gjitha parametrat e sigurisë rrugore sipas kritereve të Bashkimit Europian dhe me të vërtetë në 2024 Shqipëria do të ketë atë që unë e quaj diamanti, xhevahiri i kurorës së infrastrukturës së Shqipërisë, pra tunelin e Llogarasë”, tha Balluku.

Krahas tunelit kryesor me një gjatësi prej afro 6 kilometrash, kjo vepër do të ketë edhe tunelin e emergjencës me një gjatësi prej 5.4 kilometrash. Të dy tunelet lidhen me njëri tjetrin me 11 hyrje – dalje, ndërkohë do të ketë gjithashtu edhe 6 sheshpushime, si një mundësi apo nevojë për t’u shfrytëzuar nga drejtuesit e automjeteve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!