Balluku inspekton punimet në lotin 2 të Unazës së Madhe të Tiranës

schedule17:15 - 23 Qershor, 2023

schedule 17:15 - 23 Qershor, 2023

Në lotin 2 të pjesës veriore të Unazës së Madhe të Tiranës janë realizuar deri më tani 65% e punimeve fizike. Në këtë lot, me gjatësi prej 2 kilometrash, ka përfunduar hapja e trasesë në të gjithë gjatësinë, ndërsa puna tashmë është fokusuar në vendosjen e trarëve të urës, një nga veprat më të rëndësishme të këtij projekti.

Në kantier, për të ndjekur nga afër ecurinë e punimeve, ishin Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi.

“Duke qenë se kemi pasur një ritëm shumë të mirë, pretendojmë që brenda muajit shtator ta kemi të përfunduar. Kemi arritur që sot, në urën që është ura më e madhe që ne kemi në këtë segment, nga 72 trarë kemi prodhuar 67, jemi duke prodhuar 5 trarët e fundit dhe nga e hëna në mëngjes ne pretendojmë të fillojmë montimin e trarëve, i cili do të zgjasë 15 deri në 20 ditë”, theksoi Berberi, referuar avancimit të punimeve.

Ndërtimi i Unazës së Madhe, jo vetëm do të lehtësoj qarkullimin në kryeqytet, por do të bëj të mundur edhe urbanizimin e zonave përgjatë të cilave ajo kalon.

“E gjithë zona parashikohet që të ketë zhvillim urbanistik, edhe nga të gjitha planet që janë thënë, edhe kryetari i bashkisë së Kamzës dhe kryetari i bashkisë së Tiranës janë duke menduar sesi këto zona do të zhvillohen për të qenë zona akomoduese për familjet e reja, për ato paketat e kredive të buta që tashmë ne kemi kaluar një VKM që do të fillojë të jetë funksionale për të gjithë ato punonjës të policisë, ushtrisë apo të shëndetësisë që do kenë dëshirë që të aplikojnë për këto kredi. Këto janë zonat që janë parashikuar për urbanizim”, nënvizoi Balluku.

Punimet për lotin numër 2 parashikohet të përfundojnë në muajin shtator të këtij viti, para afatit të parashikuar në kontratë. Në këtë pikë, ministrja Balluku theksoi se është e rëndësishme avancimi i këtyre projekteve pasi impakti i tyre është me një ndikim shumë të madh.

“Vazhdoni punën në çdo kantier dhe është kënaqësi me të vërtetë që sa herë që unë i vizitoj ecuria është e dukshme dhe ne do të qëndrojmë brenda afateve të kontratës. Ka qenë dikur që kur deklaronim që do të përfundonim në afat ishte një fitore shumë e madhe, por tashmë nuk është kështu, pasi vetëm ato projekte të cilat i kemi trashëguar me problematikën që kanë, siç janë rastet e problematikave gjeologjike apo moszgjidhje e disa nyjeve të caktuara për shkak të shpronësimeve, pjesa tjetër e projekteve sidomos projektet e reja, projektet e viteve të fundit që nisin me studim, nisin me të gjitha fazat e përmbyllura të procedurave administrative, asnjëra prej tyre nuk del jashtë afatit dhe kjo është diçka shumë e mirë”, u shpreh Balluku.

Ndërkohë, po vijon puna edhe në katër lotet e tjera të Unazës së Madhe të Tiranës ku po punohet për hapjen e trasesë dhe ndërtimin e veprave të artit që janë pjesë e këtij projekti.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!