Balluku inspekton aksin Orikum-Dukat: Infrastruktura në Shqipëri nuk bëhet për arsye elektorale

schedule14:02 - 17 Maj, 2023

schedule 14:02 - 17 Maj, 2023

Zv/ kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi sot punimet në aksin Orikum-Dukat. Ministrja Balluku u ndal tek investimet në infrastrukturën rrugore në jug të vend, të cilat nisim me bypass-in e Fierit, dhe deri në Dhërmi, ku falë një sërë investimesh, disa prej të cilave janë ende në proces dhe pritet të përfundojnë në qershorin e vitit të ardhshëm, kanë bërë mundur lehtësimin dhe shkurtimin e kohës drejt bregdetit të jugut, duke i dhënë kështu një nxitje zhvillimit turistik e ekonomik të vendit.

“E gjithë zona e infrastrukturës së jugut, duke e nisur nga bypassi i Fierit dhe duke vazhduar pastaj me Fier-Levan-Vlorë, duke vazhduar me rrugën e aeroportit e cila lidhet me autostradën, me bypassin e Vlorës, me Orikum-Dukatin dhe padyshim me tunelin e Llogarasë, janë një nga pjesët më të mirë studiuara që ne kemi sot në Republikën e Shqipërisë, por që mbarojnë dhe më shpejt. Pra, në vitin 2024 të gjitha këto akse që unë përmenda do të jenë të gjitha funksionale”, tha Balluku duke shtuar se përmes këtyre projekteve jugu do të ketë një infrastrukturë moderne, të përfunduar me të gjithë komponentët e saj të integruar dhe të lidhur.

“Tashmë infrastruktura në Shqipëri nuk bëhet as për arsye elektorale dhe as për kërkesat apo dëshirat e kujtdo. Bëhet në mënyrë të studiuar për të lidhur veriun me jugun dhe për të lidhur Shqipërinë me rajonin, duke e kthyer Shqipërinë në një nga vendet më të rëndësishme përsa i përket ndërlidhjes së infrastrukturës rrugore, por pa harruar edhe atë hekurudhore e cila është një nga komponentët e rinj të infrastrukturës për lidhjen e Shqipërisë me të gjithë rajonin”, nënvizoi Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë solli në vëmendje një tjetër projekt të madh për të cilin tashmë po punohet në terren, siç është Korridori VIII ku në lotin e parë punimet po ecin me ritme të mira dhe shumë shpejt do të përfundoj gara edhe për lotin e dytë, ndërkohë ka nisur puna edhe për projektimin e bypassit të Elbasanit dhe po punohet gjithashtu edhe për të nisur procesin për bypassin e Librazhdit.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!