Analisti Frrok Çupi komentoi për News Line zhvillimet e fundit sa i takojnë çështjes Balluku, ku kryeministri Rama paralajmëroi ndryshime në Kushtetutë.
Çupi tha se kjo ishte dëshmia më e mirë e një grushti jashtëinstitucional dhe se qendra e komplott ishte jashtë Gjykatës. më tej, Çupi tha se akti i Ramës duhet çmuar dhe se dëshmoi se demokracia të jep garanci. analisti shtoi se drejtësia e ka të domosdoshme të largohet nga financat e jashtëligjshme që merren nga korrupsioni, me burim kryesor Berishën.
“Kemi parasysh pamjen e sotme dhe atë që ndodhi në Kushtetuese. Po të krahasosh dy veprimet, shohim që institucioni që ka për detyrë ruajtjen e ekuilibrave e la vendin në rrugë. Sot kryeministri dëshmoi se mazhoranca është gati të garantojë rendin dhe stabilitetin.
Jemi ende në rrethin e rrezikut, akoma nuk është bërë një analizë se nga erdhi ky grusht. Kjo është dëshmia më e mirë se është një grusht jashtëinstitucional. Qendra e komplotit është jashtë gjyqësorit. Ky ishte një grusht në heshtje, ku makina e shtetit u shurdhua dhe u verbua. Shteti mbeti i verbër.
I njëjti grusht është bërë në heshtje në vitin 1990–1991, ku u dogjën veprat e ndërtuara nga njeriu, dhe ai ishte një grusht në heshtje.
Akti i sotëm i Ramës duhet çmuar, duhet ndërtuar si një pilar i demokracisë që dëshmoi se demokracia të jep garanci. Nuk është thjesht vetëm keqdashje e drejtësisë, por në drejtësi duhet ndërhyrë në mënyrë kalimtare për të vendosur drejtësi.
Drejtësia është përgjegjësi e shtetit dhe ndaj ndërhyrja në drejtësi është domosdoshmëri për këtë situatë. Drejtësia ka për domosdoshmëri të largohet nga financat e paligjshme që merren nga korrupsioni, që nga Berisha.
Kemi një prejardhje të llahtarshme të drejtësisë, që e ka burimin te Plepat, jo te thellësia. Na duhet një shoqëri e drejtë, e cila prodhohet dhe garantohet nga drejtësia. Duhet të konsiderohet vendim i drejtë ai moment kur vendimi i shërben interesave të shumicës. Ata merren me paragrafe dhe veprojnë në dëm të shumicës.”
/ abcnews.al /


