Para pak orësh në mediet kosovare u publikua lajmi se Ballkanit i është bllokuar merkatoja dhe nuk mund të federojë asnjë lojtar në këtë dritare transferimesh.
Menjëherë pas këtij lajmi ka reaguar presidenti i klubit, Arsim Kabashi i njohur si “Cima”. Në një deklaratë për mediet dardane Kabashi shprehet se është e vërtetë se Ballkanit i ishte bllokuar merkatoja, por çdo gjë është zgjidhur dhe ata do të mund të afrojnë lojtarë në këtë muaj.
Presidenti tregon se shkak i këtij ngërçi ka qenë një problem me pagesat të lojtarit serb, Demir Avdiç. Ky i fundit ka dërguar çështjen në FIFA, ku e ka fituar dhe së fundmi ka marrë edhe shumën e pretenduar, që sipas Kabashit nuk ishte e madhe.
“Merkato na është bllokuar, por e kemi paguar dënimin. Nuk është bllokuar për shkak të portierit Rexhepi, pasi ai ka qenë në provë këtu. Jemi dënuar për shkak të një futbollisti Avdiç, që ka qenë para dy viteve tek ne. Kemi bërë pagesën, ka qenë shumë e vogël, tashmë kemi hapur përsëri merkaton”, u shpreh Kabashi.
Avdiç ka qenë pjesë e Ballkanit në vitin 2018, por ai nuk luajti në asnjë ndeshje për shkak të kritikave prej kombësisë së tij dhe mos ambientimit në futbollin dardan. Në të shkuarën ai ka luajtur edhe me Trepça 89’. /abcnews.al