Kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjatë konferencës së përbashkët me presidentin serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin maqedonas Zoran Zaev se qëllimi i Ballkanit të Hapur është që të mos ketë kufij për askënd. Rama deklaroi se pas heqjes së barrierave jo tarifore do të synohet edhe heqja e tarifave mes tre vendeve për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave.
“Ballkani i Hapur është një njësi zbatimi i procesit të Berlinit. Kjo është arsyeja pse i jemi bashkuar kësaj nisme dhe pse e kemi shpallur nismë gjithëpërfshirëse dhe në të gjitha rastet ne nuk mungojmë të ftojmë palët e tjera të rajonit të na bashkohen për të mirën e secilës palë dhe të mirën e qytetarëve të secilit të 6 pjesëmarrësve në përpjekje për ta çuar para ekonominë e Ballkanit Perëndimor.
Komisioni Europian e mbështet plotësisht Ballkanin e Hapur dhe fton vendet e tjera të bashkohen. Komisioneri nënvizoi me keqardhje dështimin e tregut të përbashkët si një proces i ndërtuar bazuar te konsensusi. E kemi ndërmarrë këtë nismë për të krijuar mundësinë që pjesëmarrësit të zgjedhin vetë shpejtësinë me të cilën duan të ecin. Kjo ecje sa më shpejt të jetë e mundur mund të realizohet vetëm nëse e marrim vetë në dorë fatin tonë këtu në rajonin tonë. Tani nisma po merr formë kuptimplotë me impakt në jetën dhe punën e qytetarëve.
Mbështetja për nismën nga SHBA, komisioni apo një sërë vendesh e BE vjen dhe do të vazhdojë të rritet. Nisma është shumë e qartë. Ta bëjmë rajonin tonë një hapësirë ku funksionojë për qytetarët tanë liritë e BE. Kemi vendosur të ritakohemi në fund të muajit shkurt në Maqedoninë e Veriut. Pas heqjes së barrierave jo tarifore të adresojmë heqjen e barrierave tarifore. Qëllimi ynë është që Ballkani të mos ketë kufij për askënd që do të lëvizë i lirë”, u shpreh Rama. m.v/Abcnews.al