Balla përkujton komisar Gani Malushin: Do të bëjmë çmos që gjaku i Dëshmorëve të mos tradhëtohet nga radhët e Policisë së Shtetit

schedule08:32 - 7 Gusht, 2023

schedule 08:32 - 7 Gusht, 2023

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, ka përkujtuar sot 20-vjetorin e ndarjes nga jeta të Komisar Gani Malushit, i cili u ekzekutua me breshëri plumbash në vitin 2003. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ministri Balla deklaron se ka nisur një erë e re në Policinë e Shtetit, duke nënvizuar se do të bëjë çmos që të shkëpusë nga uniformat blu fijet e rrjedhjes tek krimi të informacioneve sensitive të punës dhe aksioneve policore.

“Sot 20 vite më parë Policia e Shtetit humbi një nga oficerët e saj më të lartë, dhe këtë nuk e them për gradat, por nga përgjegjësitë e mëdha që mori mbi supe dhe standardin që ai vendosi me punën e tij. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit do t’i jenë gjithmonë mirënjohës Komisar Gani Malushit, Dëshmor i Atdheut, për gjithçka ai bëri për rivendosjen e shtetit dhe të ligjit në Tropojë, Berat, Librazhd, Krujë, Kukës etj”, shkruan Balla.

Gjithashtu Balla thekson se po sot 14 vite më parë, po në Durrës, ranë në krye të detyrës katër dëshmorët e Atdheut: Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj, dhe Sajmir Duçkollari, të cilëve jemi gjithashtu mirënjohës dhe do të bëjmë gjithçka që gjaku i tyre të mos tradhëtohet më kurrë nga brenda Policisë së Shtetit.

“Prej ditës së parë në krye të Ministrisë së Brendshme kam kërkuar dhe do të bëj gjithçka të pres nga Policia e Shtetit fijet e rrjedhjes tek krimi të informacioneve sensitive të punës dhe aksioneve policore. Ky është për mua një karshillëk poshtërues për gjakun e dëshmorëve të Policisë së Shtetit dhe për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë. Përvecse është edhe shembulli më i keq dhe më demotivues, për punonjësit e Policisë së Shtetit në vartësinë e drejtorëve dhe shefave të këtij profili kaq të ulët moral, që tradhëtojnë shokët dhe misionin e organizatës”, shprehet Balla.