Kreu i grupit parlamentar sociast Taulant Balla padit për shpifje deputetin demokrat Ervin Salianji dhe paralajmëron padi edhe për ligjvënësin e djathtë Luçiano Boçi. Ndërsa kryeministri Rama bën të ditur se do të padisë po për shpifje ish-kryeministrin Sali Berisha.
Ervin Salianji: “Deputeti socialist Taulant Balla, rezulton të ketë udhëtuar jashtë vendit me trafikantin e drogës Edmond Bega shpeshherë me të njëjtën makinë, kryesisht me automjetin e Taulant Ballës me targa AA900IN.”
Kjo nuk është më vetëm një deklaratë politike. Që prej kësaj të diele, ajo është një provë. Një provë me të cilën Taulant Balla do të luftojë në gjykatë përballë deputetit demokrat.
Ashtu siç kishte paralajmëruar, kreu i grupit parlamentar socialist paditi për shpifje deputetin Ervin Salianji. Padia u formalizua të dielën dhe sipas saj, Balla kërkon një dëmshpërblim prej 1 milion lekësh të reja për dëmin moral të shkaktuar prej deklaratave të bëra publike nga foltorja e selisë blu. Padia është depozituar pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë dhe siç bën të ditur vetë kreu i grupit parlamentar socialist, përpos Salianjit, pritet të ketë dhe një padi për deputetin tjetër të PD-së Luçiano Boçin.
Taulant Balla: “Sipas ligjit papagalli mban përgjegjësi për atë që thotë. Kështu që edhe papagalli Luçiano do të paditet nesër për shpifjen e sotme. Ndërsa pyetja që kam për ata që e publikojnë këtë shpifje: Çfarë ju kushton të vërtetoni se numrat e fluturimeve të shpifjes në fjalë, janë avionë linje, janë fluturime zyrtare? Apo ndonjë ka merak se mos i bie audienca po nuk bëri papagallin e papagajve, duke shpërndare “fake-news”?”
Pas këtij publikimi te Ballës nuk ka vonuar dhe një reagim i Ervin Salinjit, i cili ka ironizuar padinë.
Ervin Salinji: “Unë që “i dhashë” Alizotit 200 mijë Euro, për Ballën 10 milionë lekë janë hiç. Të gjtha paratë që kemi të shkojnë për fondet e riedukimit, të ndihmojmë PS nga shokët e krimit! Të fala departamentit të shpifesave!”
Më herët gjatë së dielës edhe shefi politik i Taulant Ballës Ballës, kryeministri Edi Rama paralajmëroi një tjetër padi. Shënjestra e saj pritet të jetë ish-parardhësi i tij në detyrën e kreut te ekzekutivit, Sali Berisha.
Rama paralajmëroi të dielën se do të padisë Sali Berisha për shpifje, pasi ish-Kryeministri publikoi dje një status nga qytetari dixhital, sipas të cilit Rama kishte blerë këmisha në Nju Jork me vlerë 23 mijë dollarë.
Ediu Rama: “S’jam marrë kurrë me këtë qenef digjital, po në çdo vend demokratik (+në ligjin shqiptar)çdo përhapës i shpifjes dënohet njësoj si shpifësi! Kjo shpifje do shkojë në gjyq. Hugo Bossi im quhet Arjan, qepja si në Nju Jork çmimi si në Tiranë”.
Në reagimin e tij në Twitter, Rama shkruan se kjo shpifje do të shkojë në gjyq dhe lekët e gjyqit do i bëjë përparëse kopshti./abcnews.al