Analisti Skënder Minxhozi thotë se ministri i Brendshëm, Taulant Balla e ka synuar prej kohësh këtë post dhe se ka investuar për t’ia arritur.
Në emisionin “Real Story” në ABC News, Minxhozi u shpreh se Balla është aktiv dhe se policia do ketë një performancë të shtuar.
“Mendoj që Bledi Çuçi i dha postit që mbajti, dinjitetin e një personi të pastër, të një njeriu serioz, të qetë, të një njeriu që ka mbajtur një ndarje të qartë me Policinë e Shtetit, pra, ka vepruar tamam siç e kërkon ligji, si një ministër politik, dhe jo si një titullar institucioni që caktonte rëndom siç ka ndodhur, shefa komisariatesh, i dimë historitë e shëmtruara. Ndërkohë, Taulant Balla, natyrisht është një format politikani i fuqishëm, është numri 2 i mazhorancës sot, pas Edi Ramës dhe Erjon Veliajt, pra në linjën politike partiake, Taulant Balla është goxha i fuqishëm si politikan.
Natyrisht, është një post që e donte prej vitesh, që e ka synuar, e ka kërkuar, pra, ka investuar për atë poltron ku ndodhet sot. Duket mjaft aktiv dhe besoj që me Ballën, policia do ketë një performancë të shtuar sepse gjithmonë kam menduar, që politikanë të fuqishëm në dikastere delikate, është një gjë jashtëzakonisht e mirë sepse i jep përfaqësi postit.
Nëse një mazhorancë do të marrë përsipër të përfaqësojë votat që ka marrë në popull, duhet ta bëjë këtë duke nisur nga linjat kryesore të qeverisjes,” theksoi ai./abcnews.al