Në seancën e radhës të përballjes së tij me kreun e Partisë Demokratike në gjykatë, deputeti Taulant Balla tha se Lulzim Basha shpifi ndaj tij për kredo politike. Balla mohoi kategorikisht lidhjen me “Toyotat Yaris”, ku u gjetën 3.4 milionë euro. Ndërsa avokatët e Bashës refuzuan t’i tregojnë gjykatës burimin e informacionit të kreut të opozitës.
Përveç prapësimeve të paraqitura nga avokati, deputeti socialist Taulant Balla zgjodhi të japë vetë argumente para gjykatës në seancën e radhës të shqyrtimit të padisë për “shpifje” të bërë prej tij kundër kryedemokratit Lulzim Basha. Balla tha se kreu i opozitës ka shpifur kur lidhi emrin e tij me “Toyotat Yaris” të bllokuara në portin e Durrësit në Qershor 2018 me 3.4 milionë euro në bord.
“Nuk i njoh, nuk i kam njohur dhe nuk kam pasur asnjë lloj lidhje. Nuk kam asnjë lloj lidhjeje. Nuk kam dhënë asnjë garancie, nuk jap asnjëlloj garancie. Unë personalisht nuk kam asnjë lidhje me këtë ngjarje. Kjo është një rast i përsëritur ku politikanë të papërgjegjshëm apelojnë në akuza të pavërteta kundër kundërshtarëve të tyre me qëllim denigrimin dhe përfitimin e kredos politike përmes shpifjeve”, tha Balla.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste kaloi edhe në akuza drejt kundështarit të tij gjyqësor e politik.
“Më rezulton se më i lidhur se unë me këtë grup kriminal qenka i lidhur vetë Lulzim Basha”, tha kreu i grupit parlamentar socialist.
Përfaqësuesit ligjorë të Lulzim Bashës në sallën e gjyqit këmbëngulën se klienti i tyre nuk ka thënë asgjë të gënjeshtërt. Nga ana tjetër ata garantuan burimin e informacionit për fshehtësi.
“E ripërsëris dhe kam autorizim të posaçëm nga zoti Basha për të pohuar se në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë, qoftë edhe të shtrënguar nga sanksione shtetërore zoti Basha dhe asnjë përfaqësues i opozitës nuk nxjerr burimin e informacionit”, tha Bardhi.
I njëjti qëndrim u mbajt edhe në momentin që gjyqtari Gerd Hoxha i pyeti në mënyrë të drejtpërdrejtë për burimin. Në kufinjtë e një loje fjalës, avokatët thanë se vetë Balla e ka pranuar vërtetësinë e informacionit në përmbajtjen e kallëzimit që ka bërë ndaj Bashës në Prokurorinë e Tiranës.
“Sipas viktimës akuzuese që ka ngritur akuzën, i kallëzuari nuk ushtron detyrë publike të një natyre që mund të vinte informacioni dhe ky informacion thotë viktima akuzuese pa asnjë diskutim i është dhënë nga persona që kanë lidhje me hetimin”, tha Bardhi.
Në seancën e të martës, gjykata shfaqi në sallë edhe dy kronika televizive të paraqitura si provë me deklarata të Bashës brenda dhe jashtë Kuvendit, ndrësa i dha kohë palës akuzuese për të marrë në formën e kërkuar nga ligji një kronikë të televizionit “Klan”. Seanca e radhës e procesit do të zhvillohet në 18 Dhjetor./abcnews.al