Balla kallëzon për nxjerrje të sekretit hetimor kryedemokratin Basha

schedule19:50 - 27 Qershor, 2018

schedule 19:50 - 27 Qershor, 2018

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla kallëzon për “nxjerrje të sekretit hetimor” kryedemokratin Lulzim Basha. Sipas kallëzimit, i cili është shpërndarë për mediat nga zyra e shtypit të PS-së, ai ishte adresuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sipas kreut të grupit parlamentar të PS, në seancën e 21 qershorit Basha ka paralajmëruar gjetjen e një shume të madhe eurosh në një makinë Toyota Yaris. Sipas Ballës, nëpërmjet fjalimit Kryedemokrati Basha ka përhapur informacione që përbëjnë sekret hetimor, duke qenë se në 24 qershor në portin e Durrësit u gjetën të fshehura në dy makina tip Toyota Yaris 3.5 milionë euro të padeklaruara. Sipas Ballës, kreu i PD-së ka bërë publik këtë informacion para se ai t’i shkonte Policisë së Shtetit, e cila është njoftuar disa orë pas deklaratës në Kuvend nga një agjensi ligjzbatuese. I kallëzuari, sipas Ballës nuk ushtron detyrë publike të një natyre nga e cila mund të vijë në dijeni të informacionit që ai ka përhapur, por ky informacion i është dhënë  nga persona që kanë  lidhje me hetimin. Ai bën përgjegjës kryedemokratin jo vetëm për nxjerrjen e sekretit, por edhe largimin e dy personave të dyshuar si drejtues të grupit të përfshirë në këtë veprimtari të jashtëligjshme. /abcnews.al