Balla “garanton” prokurorët e gjyqtarët: Punoni të qetë dhe godisni krimin

schedule12:31 - 2 Tetor, 2023

schedule 12:31 - 2 Tetor, 2023

TIRANË- Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, tha se Policia e Shtetit dhe institucionet që janë në varësinë e tij do të kryejnë detyrën me përgjegjësi në mbrojte të jetës së çdo qytetari, përfshirë këtu edhe gjyqtarët dhe prokurorët.

“Kemi diskutuar për çështjen e sigurisë së prokurorëve, por në vëmendjen tonë është siguria e të gjithë magjistratëve. Dua të garantoj çdo prokuror dhe çdo qytetar se Policia e Shtetit është në krye të detyrës për të garantuar sigurinë e çdo qytetari dhe natyrshëm edhe të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, tha ai.

Duke komentuar për masat e sigurisë të marra për dy prokuroret, një të SPAK dhe një të Lushnjës, Balla tha se strukturat ligjzbatuese do të thyejnë grupet kriminale që cenojnë sigurinë dhe rendin.

“Ne kemi arritur të thyejmë kasafortat e sekreteve të një bande kriminale dhe në vijim do të thyejmë edhe të tjera. Do kemi vëmendje më të shtuar dhe të jeni të sigurt se institucionet e varësisë së ministrisë që unë drejtoj, do të rrisim masën e sigurisë që këto institucione të bëjnë detyrën. Kur draftohej reforma në drejtësi, kemi thënë se kjo reformë do të shkaktojë dhimbje dhe këto dhimbje do të shkaktohet edhe tek krimi i organizuar me këto goditje të fundit dhe me ato që planifikojmë t’i realizojmë në ditët apo javët në vijim”, tha ai.

Pas takimit me kreun e KLP, Balla u bëri thirrje magjistratëve dhe prokurorëve të punojnë të qetë dhe të godasin krimin e organizuar.

“Punoni të qetë dhe godisni sa më fort krimin”, tha Balla.

Kjo masë vjen pas dëshmisë së të penduarit të drejtësisë, Artan Tafani, se grupi i Laert Haxhisë do të vriste dy prokurore dhe një avokat./ n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!