Balla denoncon dhunimin e Qendrës Shëndetësore në Elbasan: Sulm ndaj bluzave të bardha

schedule14:55 - 21 Nëntor, 2020

schedule 14:55 - 21 Nëntor, 2020

Një incident ka ndodhur në qendrën shëndetësore në Fushë Mbret në Elbasan. Mësohet se xhamat e dritareve të saj janë thyer nga persona ende të paidentifikuar.

Pranë kësaj qendre ka mbërritur është Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Taulant Balla i cili e ka quajtur këtë si sulm i frymëzuar nga politikanët për të krijuar një klimë negative ndaj bluzave të bardha.

Balla akuzon kreun e PD Lulzim Basha, kryetaren e LSI Monika Kryemadhi, ish-kryeministrin Sali Berisha, dhe presidentin Ilir Meta se me thirrjet e tyre kanë motivuar  njerëz të papërgjegjshëm që të sulmojnë qendrat shëndetësore.

“Mjaftojnë thirrjet e 2-3 politikanëve, personifikim i së keqes që të motivojnë njerëz të papërgjegjshëm, të cilët marrin guximin dhe godasin me gurë qendrën shëndetësore e cila u vjen në ndihmë të gjithë banorëve të kësaj zone.

Janë më shumë se 7 mijë banorë që marrin shërbim këtu. E rikonstruktuar tërësisht sipas të gjitha standardeve, vetëm dy muaj më parë, persona të papërgjegjshëm marrin guximin të godasin këtë godinë e cila është në shërbim të të gjithëve pa dallim partie.

Nuk e di ku e gjejnë guximin të godasin mbi institucionet e shëndetit publik. Prandaj, i bëj thirrje Lulzim Bashës, Ilir Metës, Sali Berishës, Monika Kryemadhit të heqin dorë nga balta kundër bluzave të bardha në këto ditë të vështira. Janë mjekët, infermierët, i gjithë stafi spitalor që po bëjnë një punë të shkëlqyer në përballje me këtë armik i cili po godet të gjithë botën.

Thirrjet, që motivojnë personat e papërgjegjshëm, me histori morgjesh dhe fshehje të numrit të të vdekurve, duhet të ndalen.

Ne jemi Shqipëri dhe Shqipëria ka zakone të përcjelles dhe nderimit të të vdekurve dhe sipas zakonit në Shqipëri nuk mund të fshihen të vdekurit, por jemi të gjithë bashkë për t’i nderuar dhe për të ngushëlluar familjet.

Por, akte si ky që ka ndodhur në Elbasan, ku motivimi i poshtër dhe i pisët politik, çon në goditjen e qendrave shëndetësore është i papranueshëm”, tha Balla.

Mësohet se Qendra shëndetësore ishte restauruar dy muaj më parë.

n.d./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!