Balerini i njohur shqiptar që jeton prej kohësh në SHBA, Ervis Nallbani ka ndërmarrë një nismë të veçantë për t’ju ardhur në ndihmë sadopak personave me aftësi të kufizuara.
Përmes një lidhjeje me Skype në emisionin “Abc-ja e mëngjesit”, balerini tha se ofron për njerëzit me aftësi ndryshe mësime online dhe koreografi të ndryshme, duke iu dhënë shpresë se çdo gjë mund të arrihet pavarësisht peripecive me të cilat të përball jeta.
“Lindi natyrshëm. Ishte një program që ne ndoqëm që bëhej fjalë për njerëzit ndryshe. Ishim fokusuar në pikëpamjen për t’i ndihmuar dhe për t’u dhënë shpresë që asgjë nuk është e pamundur. Menduam të fillonim me koreografi, të jepnim leksione që ofrohen të gjitha pa pagesë.
Ideja e kësaj ishte që pavarësisht se ty të mungon një pjesë e trupit dhe s’e ke aktive, kjo nuk do të thotë se nuk ke pasion dhe muzikalitet. Pavarësisht se ke pengesë është pasioni ai që të shtyn më tepër dhe të bëhesh pjesë e një grupi që mund të kërcejë apo këndojë. Është zemra dhe pasioni që të shtyn.“, tha ai. /abcnews.al