Në Nikël të Krujës, emri i Bajram Arrës njihet gjerësisht për kontributin e tij në mësuesi. Një figurë që për dekada ka dhënë gjithçka nga vetja në edukimin e brezave të rinj.
“Unë kam filluar punë si arsimtar më 1 shtator të vitit 1967 në Nikël, atje jepja gjuhë ruse dhe gjuhë shqipe. Kam kaluar jashtëzakonisht mirë dhe puna sido qoftë në atë kohë ishte më e vështirë, sepse gjendja ekonomike për njerëzit nuk ishte aq e mirë, kishte vështirësi. Puna që bënte mësuesi atëherë ishte shumë e vështirë, sepse edhe do të mësonte një klasë në shkollë, por nëse një nxënës nuk i shkonte në shkollë, duhet që t’i shkoje në shtëpi dhe ta merrje. Nga ana tjetër ishim dhe shumë të ngarkuar me detyrat shoqërore, duhet të bëje informacione në brigadat e kooperativës. Megjithatë unë kam punuar me shumë pasion, me mish dhe me shpirt për edukimin e brezit të ri. Katër vjet që punova në Nikël me gjithë mend jam i kënaqur për ata nxënës që kam edukuar dhe mësuar, plus edhe për dy klasë që ishin shkollë nate. Puna shkoi jashtëzakonisht mirë.”
E ndërsa punoi në shumë vende të ndryshme, tregon se në 1999 e rikthyen si drejtues në shkollën e Kurcajt për një arsye të rëndësishme.
“Në vitin 1999 mua më dërguan në drejtor shkolle Kurcajt, sepse kishin besim se unë do e ktheja gjendjen në normalitet. Shkolla kishte marrë fund, 114 vajza kishin braktisur mësimin, mungonte baza materiale, për këtë arsye unë mora përsipër që të ndryshoja gjendjen dhe e ndryshova, pasi u lidha me një shoqatë italiane. Ata më kanë ndihmuar shumë dhe çdo kërkesë që kam bërë për shkollën ma kanë plotësuar 100%. Plus asaj kam shpërndarë ndihma ushqimore dhe veshmbathje për fshatin. Kënaqësia më e madhe ishte se u rikthyen vajzat në shkollë dhe kjo ishte diçka shumë e rëndësishme. Nuk e harroj asnjëherë, sepse sapo prindërit morën vesh që isha unë drejtor shkolle i prurën menjëherë vajzat, u kthyen të gjitha në shkollë.”
Vështirësitë e tij kanë qenë të shumta, ndërsa në mendje mban një moment sfidues me një nxënëse.
“Nga shtëpia këtu ku jemi dhe deri në Mukje bënte 1 orë e gjysmë të vije dhe 1 orë e gjysmë që të ktheheshe. Gjashtë orë bëja mësim atje që ishte klasë kolektive, mendo sa lodhje kisha. Për më tepër që duhet të kaloja përmes pyllit dhe mund të përballesha me ndonjë kafshë të egër. Kujtoj një moment që nuk e harroj, një vajzë në klasë të katërt, kur unë lëshoj nxënësit për të shkuar në shtëpi, pati një vajzë në oborr që po qante se kishte frikë që shkonte tek shtëpia, ia thashë të çoj unë.”
45 vite në arsim e kthyen Bajram Arrën në një figurë të dashur dhe të respektuar, që ka lënë gjurmë në qindra nxënës. Përkushtimi i tij u vlerësua disa herë me dekorata dhe medalje nga Kuvendi Popullor i kohës.
Përkushtimin në edukimin e brezave të rinj e ka trashëguar edhe tek dy vajzat e tij, të cilat sot janë mësuese.
Pas daljes në pension, Bajrami i është përkushtuar me dashuri vreshtarisë, ku në banesën e tij ka ngritur një mini-kantinë artizanale, ku ruan verëra të vjetra disa vjeçare./abcnews.al

