Bajerni beson të fitorja e Championsit pas suksesit ndaj Paris SG

schedule16:43 - 6 Dhjetor, 2017

schedule 16:43 - 6 Dhjetor, 2017

Bajerni i Mynihut fiton besimin në vetvete pas triumfit ndaj Paris Sen Zhermenit në Champions. Bavarezët e shohin veten si pretendentë për të dominuar Europën sërish.

Ishin krenarë dhe si të çliruar nga një barrë e rëndë kur u kthyen në stërvitje.
Futbollistët e Bajernit u ndjenë shumë të lumtur në seancën e parë pas triumfit të madh ndaj Paris SG në Ligën e Kampionëve.
Futbollistët kryesorë u ndjenë sërish si yje të rëndësishëm europianë, ndërsa trajneri Jup Hajnkes e shtoi edhe më shumë famën e tij si një fitues i lindur.
Bajerni ia doli me shifrat 3-1 ndaj një kundërshtari të madh, që e kishte turpëruar 3-0 në Paris.
Hajnkes nuk ishte atë mbrëmje të hidhur, por me ardhjen e tij gjithçka ka ndryshuar.
Robert Levandovski dhe Korenten Tolison shënuan golat, ndërsa treshja e frikshme sulmuese pariziene, e përbërë nga Nejmar, Kavani e Mbape, u arrit të ndalej.
Bajerni nuk e zuri dot vendin e parë në grup, por gjithsesi rifitoi respektin, siç e thekson edhe Hajnkes.

Hajnkes: “Ne luajtëm me shumë zgjuarsi dhe e zbatuam siç duhet planin tonë të ndeshjes. Taktikisht ishim shumë mirë dhe i lejuam kundërshtarit shumë pak kundërsulme. Kjo ishte kyçe për të fituar. Ne po përmirësohemi çdo ditë e më shumë dhe shpresoj të kalojmë problemet me dëmtimet. Bajerni ka një histori të madhe në Europë dhe ndaj Paris Sen Zhermenit treguam se mund të konkurojmë me këdo dhe se mund ta fitojmë Championsin”.

Bajerni ka vërtet lojtarë të mëdhenj, edhe pse nuk ka bërë shpenzimet e PSG-së.
Jo vetëm Toliso është i shkëlqyer, siç e theksoi edhe Hajnkesi.
Kingsli Koman duket se ka arritur pjekurinë e duhur, dhe u shpall njeriu i ndeshjes me dy pasime për gol, dy gjuajtje, 60 prekje topi, 4 driblime, 3 duele të fituar dhe 80 për qind saktësi në pasime.
Padyshim, emra të tillë si Humels, Levandovski, Tiago Alkantara apo Tomas Myler mbeten imponues.

Vërtet mund ta fitojnë bavarezët kupën kryesore të Europës?
Ja si mendon shefi ekzekutiv, Karl-Hajnc Rumenige.

Rumenige: “Championsi është gjithmonë diçka speciale. Është shumë emocionuese kur luan ndaj skuadrave më të forta të Europës. Paris SG ka qenë shumë e fortë këtë sezon dhe ka luajtur futboll shumë të mirë, ndaj çfarëdo lloj fitoreje ndaj saj do të kishte qenë shumë e mirë. Championsi hyn në fazën me eleminim direkt dhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm, por kam bindje se trajneri ynë, Jup Hajnkes, do të bëjë gjënë e duhur. Bajerni padyshim që është pretendent për ta fituar, ndonëse për mua favorit mbetet ekipi kampion, Reali. Edhe Barcelona është shumë e fortë. Shpresojmë të kemi fat në short”.

Gjithsesi, shorti me shumë gjasa pritet të jetë shumë i fortë për gjermanët, që ndodhen në vazon e dytë, ndërsa kundërshtarë të mundshëm janë Barcelona, Mançester Junajtid apo Mançester Siti./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!