Pasi mohoi mundësinë e transferimit në Serie A duke i premtuar besnikëri Bayern Munchen, Robert Lewandowski ka prekur edhe tema të tjera në prononcimin e dhënë për Tuttosport. Nga idhulli Roberto Baggio te fitimi i titullit nga Interi e kalimi i Jose Mourinhos te Roma.
“Idhulli im i parë ka qenë Roby Baggio. E shihja duke luajtur me Italinë dhe çmendesha fare pas tij. Ai kishte gjithçka: teknikë, driblonte, shënonte gola, teksa kishte edhe bishtalec“, deklaron 32-vjeçari polak, i cili ndalet edhe tek e ardhmja e tij.
“Jam nën kontratë me Bayern Muchen, por dua të theksoj se ndihem për mrekulli te kjo skuadër. Sigurisht që Serie A është një kampion më taktik dhe më mbrojtës. E di që është më e vështirë të shënosh gola në Itali se sa në Gjermani, Spanjë apo Angli.
Titulli? Interi e meritoi, por më vjen keq për Szczesny, mik i imi dhe shok skuadre në kombëtare. Zikaltrit u shfaqën si një skuadër e madhe këtë sezon. Mou te Roma? U befasova disi, nuk e prisja, por Roma ka një skuadër shumë të bukur.
Mos të harrojmë edhe faktin që bëhet fjalë për një nga qytetet më të famshme në botë për historinë e pafundme që ka“, theksoi goleadori i famshëm, i cili e mbyll me raportin që ka me Karl-Heinz Rummenigge, CEO-n e klubit bavarez.
“Po flasim për një person të shkëlqyer, mbështetja e tij është e çmuar për mua. Ai e njeh mirë futbollin, ka një njohuri të madhe për gjithçka, sidomos për mënyrën se si ndihemi ne lojtarët brenda dhe jashtë fushës, i ka kaluar vetë më parë këto situata.
Më vjen keq që do të largohet në dhjetor, por duhet ta pranojmë vendimin e tij. Do të më mungojë shumë vizioni i tij“, përfundon lojtari më i mirë i vitit 2020 dhe një nga sulmuesit më të mirë në botë. /abcnews.al