Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock tha se Izraeli duhet të heqë dorë nga kontrolli i Rripit të Gazës pasi të përfundojë lufta kundër Hamasit.
“Palestinezët të lirë nga Hamasi, të lirë nga terrori, të vetëvendosur dhe me një qeveri të zgjedhur lirisht nga të gjithë Palestinezët, përfshirë në Bregun Perëndimor, duhet të jenë në krye vendit, pas përfundimit të luftës”, tha Baerbock.
“Kjo nuk do të ndodhë brenda natës, por ne nuk duhet të harrojmë horizontin politik, veçanërisht tani gjatë luftës”, shtoi ajo.
Baerbock tha se qeveria gjermane po punonte me partnerët arabë për të siguruar që zgjidhja me dy shtete të mbetej e arritshme.
“Kjo përfshin ndërtimin e një infrastrukture civile, reformimin e Autoritetit Palestinez, rindërtimin ekonomik dhe një strukturë sigurie, duke përfshirë garancitë e sigurisë për Izraelin dhe palestinezët”, tha Baerbock.
“Kjo shërben për t’i kujtuar qeverisë izraelite se politika e vendbanimeve jo vetëm që pengon një shtet palestinez, por edhe fjalë për fjalë pengon paqen. Sepse vetëm zgjidhja me dy shtete mund të sjellë paqe dhe siguri të qëndrueshme për popullin e Izraelit”, tha ajo.
Deklarata e Baerbock u nxit nga njoftimi i Izraelit, i cili shpalli rreth 800 hektarë në Bregun Perëndimor si tokë shtetërore izraelite.
Baerbock tha se mbrojtja gjatë një periudhe tranzicioni, përpara se dy shtete të jetojnë krah për krah në paqe, është e mundur vetëm me garanci ndërkombëtare të sigurisë.
“Izraeli duhet të jetë i sigurt se nuk do të ketë më kurrë një kërcënim terrorist nga Palestina dhe palestinezët duhet të jenë të sigurt se mund të jetojnë të sigurt dhe me dinjitet në tokën e tyre”, tha Baerbock.