Kryetari i Bashkisë së Londrës u ka dhënë lejen disa aktivistëve që ditën e vizitës së presidentit amerikan të ngrenë një balonë që ironizon Donald Trump, duke e shfaqur atë si një të mitur me pelena.
Një balonë gjigante që portretizon Donald Trump të sapolindur do të fluturojë në Londër, ditën që vetë presidenti amerikan do të vizitojë kryeqytetin britanik. Sipas mediave amerikane, balona do të lëshohet në ajër pranë selisë së Parlamentit britanik, pasi kryetari i bashkisë së Londrës ka dhënë të enjten dritën jeshile.
Mbi 10 mijë persona kishin firmosur një peticion në mbështetje të balonës, e cila do të fluturojë për dy orë mëngjesin e 13 Korrikut, dita kur Trump do të mbërrijë në metropolin britanik. Por përveç balonës 6 metra të lartë vizita e shefit të Shtëpisë së Bardhë do të shoqërohet edhe me një marshim kundër pranisë së tij, me parullën “Stop Trump”.
Një zëdhënës i bashkisë ka deklaruar se kryetari Sadik Khan mbështet të drejtën për protesta paqësore dhe është i vetëdijshëm se ato mund të mbahen në mënyra të ndryshme. Punonjës të stafit të Khan janë takuar me organizatorët e protestës dhe u kanë dhënë atyre lejen për të përdorur sheshin e Parlamentit si bazë për lëshimin e balonës.
Sidoqoftë, manifestuesve do t’u duhet të marrin leje edhe nga Policia Metropolitane dhe Shërbimi i Trafikut Ajror, në mënyrë që “Baby Trump” të mos pengojë fluturimet e avionëve./abcnews.al