Babai i Ilvi Metës flet për Abcnews.al: Nuk i besoj policisë, djali im nuk është vetëvrarë

schedule23:37 - 4 Maj, 2022

schedule 23:37 - 4 Maj, 2022

Nga Xhensila Kodra/ Taulant Halili 

Një ngjarje e rëndë ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, ku sipas policisë një i ri i dha fund jetës në Komisariatin e Kavajës.

Sipas policisë 31-vjeçari Ilvi Meta, ishte shoqëruar në komisariat gjatë ditës së mërkurë, ndërkohë që pas disa orësh i riu i ka dhënë fund jetës me lidhësen e bluzës.

Por familja e tij nuk e beson aspak versionin e policisë. I kontaktuar nga Abcnews.al, babai i viktimës, Agim Meta, tha se e kishte marrë vesh ngjarjen e rëndë kur kishte shkuar në shtëpi dhe ishte gjetur vajzën dhe gruan duke qarë.

Ai theksoi se varianti i policisë është një gënjeshtër, pasi Ilvi ishte një djalë i rregullt dhe nuk kishte probleme me askënd.

I pyetur nga Abcnews.al për një dënim të mëparshëm të tij, Agimi e pranoi, por theksoi se nuk është dënuar për vjedhje, por pas një sherri në stadiumin “Besa Stadium” pasi Ilvi ishte një tifoz i madh i ekipit të tij të zemrës Besës së Kavajës.

Sipas Agimit pas këtij sherri, Ilvi është dënuar me 3 muaj burg, por që është liruar më herët.

Pjesë nga biseda:

Abcnews.al: Zoti Agim ngushëllime për këtë humbje të rëndë, shpresoj që ngjarja të zbardhet sa më parë. Keni ndonjë koment për këtë që ndodhi?

Agim Meta: Ilvi im u arrestua nga ora 10 e 30 se di për ca akuzohet, çun i ri pretendonte për një jetë më të mirë. Isha në punë, punoj në hipotekën e Kavajës, kur erdha në shpi vetëm kur doli lajmi në televizion. Unë këtë nuk e besoj kurrë nuk e besoj, sepse çuni nuk kishte asnjë problem psiqik, sillej shumë mirë, punonte në Greqi, për të bërë ndonjë lek me jetuar, kur kjo ndodhi policia nuk të sqaron. Nuk më japin detaje.

Abcnews.al: Cila do të jenë hapat tuaj për të kërkuar drejtësinë?

Agim Meta: Unë do lë gjë pa bërë, çuni im nuk ma merr mendja të ketë vrarë vetën, e njeh shoqëria ishte çun i rregullt, i qeshur, i pasionuar për futbollin, nuk ka qenë problematik

Abcnews.al: Thuhet që djali juaj ka qenë i dënuar dhe më parë, sa e vërtetë është?

Agim Meta: Po ka qenë i dënuar me 3 muaj heqje lirie janë zënë në stadium kur ishte Kavaja në Superligë, ai nuk e bëri 3 muajshin e plotë, u lirua.

/Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!