Aziatiko-amerikanët grupi me rritjen më të shpejtë ndër votuesit amerikanë

schedule17:21 - 28 Prill, 2024

schedule 17:21 - 28 Prill, 2024

Aziatiko-amerikanët janë grupi që po shtohet më shumë ndër votuesit amerikanë, sipas një studimi të Qendrës Pew Research Center. Siç njofton korrespondenti i Zëri të Amerikës, Scott Stearns, ky grup është tashmë në epiqendër të vëmendjes së kandidatëve për president, Joe Biden dhe Donald Trump.

Në zgjedhjet amerikane të këtij viti do të ketë dy milionë votues aziatiko-amerikanë më shumë se në zgjedhjet e katër viteve më parë, kur Joe Biden-i dhe Donald Trump-i u përballën për herë të parë.

Kjo rritje i bën aziatiko-amerikanët një forcë votuese që mund të bëjë diferencën mes kandidatëve në garat e ngushta në shtetet Arizona, Xhorxhia dhe Nevada, thotë aktivistja për votën aziatiko-amerikane dhe të banorëve të ishujve të Paqësorit, Christine Chen.

“Kur ekipet elektorale janë në kërkim të votave të mëtejshme pasi zgjedhjet po fitohen me diferenca të ngushta, u duhet vërtet t’i kthejnë sytë nga elektorati aziatiko-amerikan. Pasi në vitin 2020, mbi 21% e këtij elektorati janë votues për herë të parë. Pra janë shumë të motivuar”, thotë zonja Chen.

Por çfarë kërkojnë nga një president i ardhshëm votuesit aziatiko-amerikanë? Zëri i Amerikës pyeti disa prej tyre.

“Unë kërkoj një president me energji pozitive, që të jetë në gjendje të mendohet mirë, të marrë vendimet e duhura dhe jo të presë nga ndihmësat e tij që ta bëjnë këtë”, thotë votuesi Samnang Khoeum.

“Për mua nuk ka rëndësi mosha. Për sa kohë janë në gjendje ta bëjnë punën dhe t’i ndihmojnë të gjithë qytetarët për t’u bërë më të mirë, për të gjetur punë, mundësi të mira në biznes, të përpiqen të na mbrojnë nga lufta. Mendoj se kjo është kryesorja për të gjithë”, thotë voutesja Hangkannha DeSalvo.

“Do të doja të shihja më shumë të rinj në pushtet pasi ata kanë më shumë kohë, dhe në veçanti, më shumë fuqi. Nuk është se kjo i mungon më të vjetërve, por ka ardhur koha për një brez të ri”, thotë votuesja Sophia Oumret.

“Mendoj vërtet se të gjithë kandidatët e sotshëm për president duhet të vinin nga një gjeneratë e re. E besoj vërtet këtë”, thotë votuesja Natalie Vu.

Votuesit aziatiko-amerikanë, të ishujve të Paqësorit dhe indigjenëve të Havajit motivohen më shumë nga aspektet ekonomike dhe të politikës së jashtme, thuhet në një anketim të bërë vitin e kaluar nga agjencia e lajmeve Associated Press. Tre nga dhjetë prej tyre ishin përgjigjur se përparësi kanë inflacionin dhe emigracionin.

“Mendoj se është më shumë emigracioni pasi kam parë shumë nga komuniteti aziatik të deportohen për në Kamboxhia. Prandaj do të doja të mësoja më shumë rreth emigracionit, se çfarë mund të bëjmë këtu për t’i ndihmuar njerëzit me emigracionin”, thotë votuesja Sichan Southimath.

“Çështjet e kujdesit shëndetësor dhe emigracionit janë shumë të rëndësishme për mua. Po kështu edhe e drejta e votës dhe që të sigurohemi që zgjedhjet nuk preken dhe se gjithçka është legjitime”, thotë votuesi Xavier Eang Lee.

“Tre çështjet e rëndësishme për mua janë emigracioni, ekonomia dhe luftërat në Ukrainë dhe Izrael dhe mundësia për një konflikt të përshkallëzuar në Lindjen e Mesme”, thotë votuesja Soben Pin.

Votuesit aziatiko-amerikanë ishin një faktor në zgjedhjet e mesmandatit në Pensilvani dy vite më parë dhe pritet të jenë gjithnjë e më shumë në epiqendër të vëmendjes së fushatave nga të dyja krahët për të fituar mbështetjen e tyre në zgjedhjet presidenciale në nëntor. /VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!