Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Axhenda ambicioze që kërkohet për “normalitetin”post-Covid

schedule19:02 - 17 Mars, 2021

schedule 19:02 - 17 Mars, 2021

Nga Mario Monti, Financial Times

Kur u shfaq koronavirusi i ri në Kinë, dhe u përhap më pas në të gjithë botën, ai u përjetua si një tronditjeje e madhe. Për shumë qeveri, shkalla e reagimit që kërkohej dukej e pa imagjinueshme. E megjithatë u bë shpejt realitet.

Sot, falë zhvillimit të një morie vaksinash, shumë vende mezi po presin që jeta të rikthehet në normalitet. Por a është kjo ajo që duhet të synojmë? Tek e fundit, ishte normaliteti i vjetër, ai që krijoi kushtet për shfaqjen e virusit dhe përhapjen e tij. Ne me siguri që mund të bëjmë më mirë.

Brezat e ardhshëm nuk do të na e falnin, në rast se nuk arrijmë që të mësojmë leksionet që po na jep kjo pandemi. Kështu, shtatorin e vitit të kaluar, drejtori evropian i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Hans Kluge, ngriti një komision të pavarur për të shqyrtuar se si mund të jetë një “normalitet i ri”.

Komisioni përbëhet nga njerëz nga e gjithë Evropa dhe nga disiplina të shumta, nga politika dhe ekonomia, deri tek  shëndetësia dhe shkenca. Në gjetjet e studimit tonë të ndërmjetëm, të bëra publike të martën, ne bëjmë thirrje për një rishikim themelor të përparësive të politikës dhe të qeverisjes ndërkombëtare përgjatë 5 linjave kryesore.

Së pari, ndërsa ne nuk i dimë ende që të gjitha detajet, është e qartë se Sars-Cov-2 ishte vetëm mikro-organizmi i fundit që kapërceu nga kafshët tek njerëzit. Dhe ai ishte në gjendje që ta bënte këtë, për shkak se ishim që ne krijuam kushtet për këtë gjë.

Historia e kohëve të fundit – nga përhapja e HIV nga shimpanzetë tek njerëzit, tek shpërthimet e përsëritura të gripit të shpendëve – është e mbushur me paralajmërime mbi rëndësinë e zhvillimit të mekanizmave që e njohin ndërvarësinë e shëndetit të njerëzve, kafshëve dhe mjedisit.

E megjithatë ne nuk kemi arritur të mësojmë asgjë. Edhe tani që flasim, sistemet tona globale janë të fragmentuara, me përgjegjësitë që shtrihen kryesisht tek agjencitë e ndryshme të OKB-së. Por ato kërkojnë një koordinim shumë më të ngushtë mes tyre, dhe me më pak mbivendosje.

Duke marrë shkas nga paneli ndërqeveritar për ndryshimin e klimës, ne propozojmë krijimin e një paneli ndërqeveritar për kërcënimet ndaj shëndetit. Kjo do të bënte bashkë shkencëtarët për të vlerësuar rreziqet shëndetësore, që do të vazhdojnë të shfaqen në botën tonë në ndryshim, dhe për të propozuar zgjidhje të mundshme.

Gjithashtu ne kemi nevojë për një program të qëndrueshëm të investimeve në sistemet e paralajmërimit të hershëm, në mënyrë që kur të shfaqen infeksionet e ardhshme, ne të reagojmë sa më shpejt që të jetë e mundur.

Së dyti, pandemia ka nxjerrë ndërkohë në pah të çarat brenda shoqërive tona. Covid-19 goditi më së shumti ata që tashmë janë të varfër, dhe shfrytëzoi kushtet e pasigurta në të cilat jetojnë shumë bashkëqytetarë. Qeveritë u angazhuan të adresojnë shumë nga këto sfida, kur nënshkruan dokumentin e OKB-së mbi qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm.

Por progresi shpesh ka qenë i ngadaltë, dhe duke pasur parasysh sfidat e pritshme financiare, rreziqet rrezikojnë që të rikthehen. Ne kemi nevojë për sisteme më të mira të të dhënave, për t’i bërë më të dukshme kushtet e këtyre komuniteteve, dhe për të ndërtuar shoqëri që janë vërtet gjithëpërfshirëse për të gjithë.

Së treti, ne e dimë se asnjëra nga këto nuk mund të ndodhë pa bërë ndryshime në sistemin financiar global. Qeveritë nuk janë plotësisht të lira të veprojnë si të duan. Shumë prej tyre janë të detyruar të veprojnë të diktuara nga vendimet e institucioneve financiare rajonale dhe globale, agjencitë e vlerësimit të kredisë etj.

Organizata si Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian, e kanë njohur prej kohësh rëndësinë e politikave dhe praktikave ekonomike, sociale, mjedisore dhe të qeverisjes në krijimin e ekonomive elastike. Në atë listë, ne duhet të shtojmë edhe shëndetin publik.

Një vend që nuk arrin të investojë dot në infrastrukturën e tij shëndetësore, duke krijuar kësisoj kushtet në të cilat mund të përhapen dhe shndërrohen viruset, përbën një kërcënim

për veten dhe botën.

Së katërti, shumë nga gjërat që duhet të përgatisim për çdo pandemi të mundshme në të ardhmen, si një sistem paralajmërimi i hershëm që funksionon mirë, janë tek e fundit të mira publike globale. Megjithatë, nëse bashkësia ndërkombëtare nuk gjen dot një mënyrë për t’i krijuar ato, asgjë nuk do të ndodhë.

Gjithsesi, ekziston një model që mund të përdoret. Pas krizës financiare globale, G20 krijoi një bord të stabilitetit financiar, për të adresuar dobësitë në sistemin financiar global, dhe për të promovuar politikat e nevojshme mbikëqyrëse për t’i kapërcyer ato.

Një bord global i shëndetit, do të bënte të njëjtën gjë për shëndetin, dhe ndoshta mund të evoluojë drejt shndërrimit në një bord global të të mirave publike.

Së fundmi, ne duhet të mësojmë nga suksesi i zhvillimit të vaksinave. Është diçka e pafalshme që ka ende sëmundje tropikale të neglizhuara që nuk po trajtohen, duke pasur parasysh se tashmë kemi parë se çfarë mund të arrihet kur bashkësia ndërkombëtare bëhet bashkë.

Ne duhet të bëjmë më shumë për të krijuar një klimë që e inkurajon inovacionin – jo vetëm të vaksinave, ilaçeve dhe teknologjisë, por edhe në sistemet shëndetësore dhe modelet e kujdesit shëndetësor, që mund t’i shpërndajnë ato në mënyrë të barabartë për të gjithë.

Kjo është një axhendë ambicioze, të cilën shumë njerëz mund ta shohin si të pamundur. Por gjatë vitit të kaluar, vetë qeveritë kanë bërë kudo në botë gjëra që vetëm 12 muaj më parë mendonin se ishin të pamundura. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Shënim: Mario Monti, ish-kryeministër i Italisë, aktualisht drejtues i komisionit pan-evropian të OBSH-së për shëndetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!