Avokati i Trump bashkëpunon me hetuesit federalë

schedule22:25 - 21 Gusht, 2018

schedule 22:25 - 21 Gusht, 2018

Ish-avokati i Donald Trump ka bërë një marrëveshje me hetuesit federalë për akuzat e evazionit fiskal dhe shkelje të ligjeve elektorale. Sipas mediave amerikane, pakti nuk do të thotë se ai po punon kundër presidentit.

Ish-avokati personal i Donald Trump, Michael Cohen, ka bërë një marrëveshje me prokurorët federalë të Nju Jorkut, që po hetojnë çështjen e tij. Sipas mediave amerikane, Cohen ka pranuar të shpallet fajtor për akuzat e evazionit fiskal dhe shkelje të ligjeve elektorale.

Më herët ai kishte pranuar se kishte organizuar pagesën për një grua që deklaronte se kishte patur një aferë me Trump, veprim ky që përbën shkelje të rregullave financiare të fushatës. Mësohet se ai iu vetëdorëzua agjentëve të FBI-së në Nju Jork dhe aktualisht ndodhet nën ruajtjen e autoriteteve.

Akuzat e ngritura ndaj tij mund të kthehen në një periudhë burgu për Cohen. Ai ka punuar për Organizatën Trump për më shumë se një dekadë dhe ka vijuar të punojë si avokati personal i tij edhe pas zgjedhjeve të 2016-s.

Bashkëpunimi me autoritetet përflitej prej disa javësh. Sidoqoftë, detajet e marrëveshjes nuk dihen ende dhe arritja e saj nuk do të thotë se avokati po vepron kundër presidentit. Sipas BBC, marrëveshja mund të jetë thjesht një dakordësi për të pranuar disa akuza, në mënyrë që të dyja palët të shmangin tejzgjatjen e procesit.

Ditën e diel, “Neë York Times” raportoi se hetuesit federalë po kontrollonin aktivitetet e bizneseve të Cohen, konkretisht një hua prej 20 milionë dollarësh dhënë për kompaninë e taksive të zotëruar nga avokati dhe familja e tij./abcnews.al