Avokati i Thaçit: Gjykata Speciale frymëzohet nga Rusia

schedule22:07 - 9 Dhjetor, 2021

schedule 22:07 - 9 Dhjetor, 2021

Gregory Kehoe, avokati i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Prokuroria Speciale e Hagës po jep argumente antishqiptare dhe me motive politike për mbajtjen e tij në paraburgim.

Sipas mbrojtjes së Thaçit, ZPS-ja ka tendenca që Kosovën ta paraqesë si shtet të dobët dhe Policinë e Kosovës si organizatë kriminale.

Avokati i Thaçit, Gregory Kehoe, ka parashtruar në Gjykatën Speciale përgjigjen e tij ndaj Prokurorisë së Specializuar në Hagë, ku kjo e fundit e ka konsideruar që Policia e Kosovës s’do të mund të garantonte sigurinë e nevojshme për lirimin e tij nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Kehoe ka krahasuar Gjykatën Speciale me Tribunalin Ndërkombëtar, pasi sipas tij, të njëjta rreziqe ekzistonin edhe për të akuzuarit që gjykoheshin në Tribunalin Ndërkombëtar.

“Arsyetimet që përfshihen në rastin e z. Thaçi janë ‘rreziku’ që ai ‘mund’ të arratisej, edhe pse u dorëzua vullnetarisht dhe nuk ka shfaqur asnjë synim për një gjë të tillë; ‘rreziku’ që ai ‘mund’ t’i pengojë procedurat dhe të ndërhyjë te dëshmitarët dhe ‘rreziku’ që ai do të kryejë krime të ngjashme. Këto ‘rreziqe’ teorike ekzistonin për çdo të akuzuar në Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës, por përkundër kësaj, atyre u është dhënë lirimi i përkohshëm. Kështu nuk ndodh në Dhomat e Specializuara”, thuhet në përgjigjen e avokatit të Thaçit.

Kehoe ka përmendur edhe raste të tjera kur Tribunali i Hagës iu ka dhënë liri shumë serbëve në Serbi.

“Tribunali i Hagës gjithashtu u dha lirim të përkohshëm shumë serbëve në Serbi, edhe pse shkeljet masive të të drejtave të njeriut, të kryera nga forcat e sigurisë së këtij shteti – shkelje të shkallës shumë më të madhe se ato që i ngarkohen UÇK-së apo të akuzuarve në rastin aktual. Në ato raste, Tribunali i Hagës respektoi garancitë e dhëna nga Serbia, me gjithë mizoritë e kryera nga qeveria e saj ndaj shqiptarëve. Sigurisht, këto garanci shtetërore dhe kushtet e lirimit dhe kthimit ishin respektuar në mënyrë rutinore”, thuhet në përgjigjen e Kehoe.

Mw tej, avokati Kehoe thotë se ZPS-ja tenton që ta paraqesë Policinë e Kosovës si organizatë kriminale, ku përmend edhe fotografinë e ish-presidentit Thaçi me ish-drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, si arsyetim që ZPS-ja e ka përdorur si dëshmi që Thaçit t’i vazhdohet paraburgimi.

“ZPS-ja nuk ofron asnjë provë për asnjë sjellje të papërshtatshme. Ajo mbështetet në një fotografi të z. Thaçi. Realisht kjo foto vjen nga profili zyrtar në Facebook i ministrit të atëhershëm të Drejtësisë në Kosovë, Abelard Tahiri, më datë 29 shtator 2018. Në të është paraqitur z. Thaçi duke zhvilluar një takim në terren me shefin e atëhershëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, pastaj drejtorin e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Shpend Maxhuni, e më pas me Ministrin e Financave, Bedri Hamza, pas vizitës zyrtare në pikën kufitare Kosovë-Serbi në Bërnjak dhe liqenin e Ujmanit”, thuhet në përgjigjen e avokatit të Thaçit.

Për Kehoe, këto arsyetime nga ana e Prokurorisë janë të motivuara politikisht nga shteti rus, artikuj mediatikë jo të besueshëm e kundërshtarë politikë të Thaçit.

“Arsyetimet e ZPS-së për ndalimin e vazhdueshëm të z. Thaçi bazohen në deformime dhe gjysmë të vërteta të frymëzuara nga propaganda ruse, kundërshtarët politikë të z. Thaçi dhe artikuj mediatikë jo të besueshëm. ZPS-ja, në mënyrë efektive, nënkupton që Thaçi, në cilësinë e tij si kryeministër dhe president, e udhëhoqi Kosovën si shtet kriminal”, thuhet në përgjigjen e Kehoe, njofton klankosova.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!