Vendimi mbi vazhdimin ose jo të bojkotit për hartën e re gjyqësore ka përçarë avokatët në vendin tonë.
Edhe pse sot ishte njoftuar bojkotim i seancave gjyqësore, pesë procese për caktim mase sigurie në gjykatën penale të Tiranës janë zhvilluar.
Avokatët kanë marrë pjesë në seancën e së enjtes duke thyer bojkotin e lajmëruar një ditë më parë nga dhoma kombëtare e avokatisë për të kundërshtuar hartën e re gjyqësore.
Lexo edhe: Avokatët në Tiranë thyejnë bojkotin, jepen 5 masa sigurie
Në lidhje me këtë avokati Sokol Hazizaj thotë në Radarin Informativ në Abc se avokatia në Shqipëri ka probleme serioze dhe se harta e re gjyqësore nuk është arsyeja e vetme e bojkotit.
Hazizaj tha se mungesa e shërbimit është problematike.
“Pas bojkotit nuk qëndron vetëm harta por dhe shërbimi. Ne nuk kemi mundësi të ofrojmë shërbim sot. Avokatia ka shumë probleme në Shqipëri sot, është kthyer në farsë. 2023 do të jetë fatalitet në sistemin e drejtësisë, shkolla e magjistraturës nuk prodhon gjyqtarë. Qeveri shqiptare duhet të jetë shumë e vëmendshme për përmirësimin e situatës”, u shpreh avokati në Radarin Informativ.
Ndër të tjera Hazizaj tha se harta e re gjyqësore do të ndikojë në shërbimin e qytetarëve dhe se fluksi për gjykatat do të i madh. Ai tha se gjyqtarët në vendin tonë marrin 45 vendime në ditë, një gjë që sipas tij ndodh vetëm në Shqipëri.
“Harta e re do të ndikojë në shërbimin e qytetarëve. Mjafton të shikosh ngarkesën që ka gjykata e lartë, marrin mbi 45 vendime në ditë. Se si ka mundësi një gjyqtar të marrë 45 vendime në ditë. Tani përfytyroni një gjykatë apeli se si mund të funksionojë ku në tërësi janë mbi 90 mijë çështje që janë në pritje për tu gjykuar. Vetëm 20% e kapaciteteve të gjykatave të apelit funksionojnë, sepse shumë kanë ikur nga procesi i vettingut. Vetëm në mund të ndodhë që mund të ketë kaq shumë seanca gjyqësore në një ditë”, tha avokati./abcnews.al/