Avokatët e Bashës: Nuk ka shpifje në deklaratën për “Toyotat Yaris”

schedule16:11 - 6 Nëntor, 2018

schedule 16:11 - 6 Nëntor, 2018

Në seancën e radhës të shqyrtimit të padisë për “shpifje” të deputetit Taulant Balla kundër kryedemokratit, Lulzim Basha, Gjykata e Tiranës u njoh me parashtrimet e palës së paditur. Përmes avokatëve Basha kërkoi rrëzimin e padisë, duke pretenduar se deklarata për “Toyotat Yaris” ishte e vërtetë.

Përmes avokatëve, kryeopozitari Lulëzim Basha, i kërkoi Gjykatës së Tiranës të rrëzojë padinë për “shpifje” të ngritur kundër tij nga deputeti socialist, Taulant Balla. Sipas Ballës, Basha ka shpifur teksa ka lidhur emrin e tij me “Toyotat Yaris” të bllokuara në portin e Durrësit në qershor 2018, në bordin e të cilave u gjetën 3.4 milionë euro.  Në seancën ku nuk ishte prezent as kreu i PD dhe as deputeti Balla, avokatët e Bashës paraqitën si provë të mbrojtjes, të njëjtën deklaratë të bërë nga kryeopozitari në parlament.

Avokatët e Bashës pohuan se deklarata kishte rezultuar e vërtetë, pasi disa ditë pas saj policia bllokoi në portin e Durrësit “Toyotat” me euro në bord. “Prokuroria për Krimet e Rënda ka nisur një hetim për rastin dhe ende nuk kemi një konkluzion. Nga ana tjetër, Taulant Balla nuk ka asnjë provë që të faktojë se deklaratat e bëra nga Basha janë shpifje”, tha avokati Gazment Bardhi.

Para gjykatës, avokatët thanë se klienti i tyre e kishte marrë këtë informacion në një burim të besueshëm, por pa bërë të ditur atë.

Mbrojtësit e kryedemokratit, ritheksuan para gjykatës faktin se Basha, në cilësinë e kreut të opozitës, kishte denoncuar në Parlament një aferë korruptive, ku segementë të lodhura me shtetin po bëheshin garant të një aktiviteti kriminal, por se në asnjë moment gjatë saj ai nuk kishte përmendur emrin e deputeti Balla.

Për t’i dhënë kohë avokatit të Ballës për t’u njohur me parashtrimet e palës tjetër, gjykata shtyu seancën për në 20 nëntor. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!