Gjykata e Posaçme e pati të pa mundur të zhvillonte këtë të enjte seancën ndaj Laert Haxhiut që po gjykohet në mungesë për vrasjen e 2 personave në Lushnjë. Shkak u bë mungesa e avokatit Detar Hysi që paraqiti në gjykatë kërkesën për të hequr dorë nga mbrojtja. pas kësaj trupa gjykuese që kryesohet nga Erjon Çela caktoi dy mbrojtës kryesisht Artan Simonin dhe Edvis Gorishtin.
Këtyre të fundit iu la kohë të njihen me dosjen dhe seanca e radhës u caktua me 17 nëntor. Nga ana tjetër gjykata refuzoi kërkesën e Hysit dhe në të njëjtën kohë e gjobiti me 5 mijë lekë për shkak se u bë pengesë për vazhdimin e procesit.
Pala mbrojtëse pretendon se është pajisur me prokurë përfaqësimi nga babai i Laert Haxhiut, por për të përfaqësuar në këtë proces Haxhiun duhet miratimi I tij. Haxhiu akuzohet për vrasjen e Zamir Latifit dhe Jurgen Hoxhës, ngjarje e ndodhur në nëntor të 2017-tës në Lushnjë si dhe plagosjen e 2 të tjerëve.
Laert Haxhiu mbahet i arrestuar në Greqi pasi u kap disa muaj më parë në Janinë. Emri i tij rezulton edhe ne një tjetër dosje pas dëshmisë së Artan Tafanit, që zbardhi 6 vrasje si dhe disa ngjarje të rënda kriminale./abcnews.al/