Avni Majollari: 5 arsyet përse nuk jemi ne autorët e vrasjes së dyfishtë në 2000

schedule16:02 - 15 Prill, 2018

schedule 16:02 - 15 Prill, 2018

Gazetar: Spartak Koka/

Babai i Mario Majollarit, Avni Majollari, i cili aktualisht vuan dënimin me burgim të përjetshëm për vrasje të dyfishtë, ngjarje e ndodhur në vitin 2000, mohon se ai dhe nipi i tij Endrit Majollari janë vrasësit e Ilir Gjuzit dhe Armando Nelajt.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit ndaj Avni Majollarit, të datës 22.02.2006 të cilin tvklan.al e disponon ekskluzivisht evidentohen për herë të parë gjitha pretendimet e Avni Majollarit, për vrasjen e dyfishtë.
Në apelimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, Majollari ngriti 5 pretendime se ai nuk është fajtor, si më poshtë:
1-Në gjykim janë lejuar shkelje të rënda proceduriale, pasi gjykimi është zhvilluar në mungesë e pa dijeni.
2-Nuk është realizuar mbrojtje me avokat në mënyrë të ligjshme, sepse avokati i caktuar kryesisht nuk ka bërë mbrojtje të kualifikuar.
3-Nuk është bërë asnjë hetim për të përcaktuar rolin e bashkëpunëtorëve, pasi janë xhaxha e nip dhe nuk ka bashkëpunim.
4-Nuk ka asnjë provë që të vërtetojë datën 18.11.2000 si ditë ngjarje.
5-E vetmja provë është ajo se në të dy vrasjet janë gjendur 5 gëzhoja të qitura nga e njëjta armë, por kjo nuk do të thotë se jemi ne autorë.
Avni Majollari gjatë fazës së gjykimit në apel kërkoi prishjen e vendimit dhe kthimin e çështjes për rigjykim.

Gjykata e Apelit: Pretendimet e Avni Majollarit, të pabaza

Gjykata e Apelit vlerësoi se lidhur me shkeljet proceduriale të pretenduara nga Avni Majollari, ato nuk ekzistojnë.

-Vërtetë si hetimi dhe gjykimi i çështjes është bërë në mungesë të dy të pandehurve, por kjo ka ndodhur se vetë të pandehurit janë larguar në drejtim të paditur, duke iu shmangur hetimit dhe gjykimit. Me të drejtë në këtë rast Gjyakata e Shkallës së Parë ka proceduar në gjykimin e çështjes në mungesë duke marrë dhe vendimin përkatës. Nga aktet në dosje rezulton se janë realizuar detyrimet ligjore për njoftimet, kjo sipas fletë-thirrjeve, gjithnjë është konfirmuar marrja dijeni, nëpërmjet nënës së të pandehurit, Lutfije Majollari, me konfirmimin sipas saj në numrin shumës, pra për të dy të pandehurit, që siç thamë janë nip e xhaxha, se “nuk janë në shtëpi, nuk dimë se ku janë.
-Edhe pretendimi lidhur me mbrojtjen me avokat nuk qëndron, pasi në kushtet e gjykimit në mungesë, gjykata ka caktuar avokat kryesisht Pëllumb Zaimin, i cili ka përfaqësuar në gjykim të dy të pandehurit që nga aktet në dosje, e që nuk është bërë i mundur dëgjimi i tyre, nuk konstatohen interesa të kundërta.
-Ndërsa lidhur me pretendimet për themelin e çështjes, ky kolegj arrin në konkluzionin se si fajësia dhe kualifikimi ligjor i veprave nga akuza dhe gjykata janë bërë drejtë e në përputhje me rrethanat e ngjarjes dhe provat e administruara.
-Gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, në vrasjen e Ilir Gjuzit janë sekuestruar 2 gëzhoja, ndërsa te Armando Nela, 3 gëzhoja. Sipas akt-ekspertimit balistik të gëzhojave Nr.316 datë 27.11.2000 dhe 315 po të kësaj date, rezultojnë se ato janë qitur nga e njëjta pistoletë e janë të kalibrit 9 mm.

Vendimi i vitit 2001, Gjykata: Përse u dënua me burgim të përjetshëm Avni Majollari

Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë me datën 25.05.2001 ka sqaruar të gjithë zanafillën e të dielës së datës 18.11.2000 ku mbetën të ekzekutuar Ilir Gjuzi dhe Armando Nelaj.
Avni Majollari me datën 18.10.2000 sëbashku me djalin e vëllait të tij, Endrit Majollari, janë nisur nga qytetit i Tiranës për në Dajt.
Në një lokal anës rrugës Tiranë-Dajt, pronë e dëshmitarit Aleksandër Prenga me emrin “Jurgen” ka qenë duke pirë në një tavolinë me shokë të tij Skënder K., Gjovalin P. (vëllai i pronari dhe viktima Ilir Gjuzi).
Në atë lokal kanë hyrë dy të pandehurit, Avni dhe Endri Majollari. Ata janë ulur në një tavolinë tjetër e pasi kanë porositur diçka për të pirë, menjëherë i pandehuri Avni i ka kërkuar viktimës Ilir Gjuzi, që dhe ai të ulej tek ata për të sqaruar disa probleme që kishin me njëri-tjetrin.
Por sapo viktima është ulur në tavolinë, i pandehuri Avni Majollari ka nxjerrë pistoletën që kishte pa leje dhe ka qëlluar mbi Ilirin, duke e lënë të vdekur në vend, kurse Endrit Majollari ka marrë pistoletën, ata kanë dalë nga lokali e janë larguar në drejtim të Tiranës.
Gjatë rrugës në fshatin Qesarakë, të pandehurit kanë dalluar makinën tip “Land Rover” me targë AN 333 BX, ku në sediljen e parë ishte i ulur shtetasi Armando Nelaj. Përsëri i pandehuri Avni, sapo janë afruar ka qëlluar me pistoletë viktimën Armando, ku dhe ky i fundit ka gjetur vdekjen.
Në momentin e kësaj vrasje kanë dëgjuar krismat dëshmitarët Vasil K. e Ervin N. të cilët kanë dalluar një benz 240 me dy persona brenda që është larguar me shpejtësi.
Këto janë dy vrasjet e ndodhura në të njëjtën ditë dt.18.11.2000 ku pas deklarimeve të shtetasëve për këto vrasje si shkak për vrasjen e Ilir Gjuzit kanë qenë ngatërresat e tij me Avni Majollari , ndërsa viktimës tjetër Armando Nelaj po acarimet midis të pandehurit Avni me viktimën për shkak të ndarjes së kushërirës së viktimës.

Fill pas ngjarjeve dy të pandehurit Avni e Endrit Majollari janë zhdukur duke iu fshehur hetimit dhe gjykimit , proçedime këto të zhvilluara në mungesë.

10 Prill 2018: Ekzekutimi i Mario Majollarit për hakmarrje

Mbrëmjen e 10 Prillit, djali i Avni Majollarit, 28-vjeçari Marjo Majollari u vra me armë zjarri pak metra nga pallati ku banonte në rrugën “Aleksandër Moisiu” në Tiranë.
Policia identifikoi si autor të vrasjes së tij Petrit Gjuzin, i cili është shpallur të në kërkim.
Shkak për vrasjen, sipas policisë, është gjakmarrja, pasi në vitin 2000 babai i të riut, vrau vëllain e Petrit Gjuzit, Ilir Gjuzin. Në këtë ngjarja mbeti i vrarë edhe Armand Nela, kushëri i ish-gruas së Avni Majollarii.
28-vjeçari kishte vetëm pak ditë që ishte kthyer nga Suedia, ku kishte kërkuar azil, për shkak se i druhej gjakmarrjes, kërkesë e cila iu ishte refuzuar./tvklan.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!