Avioni grek ndërhyn për të shpëtuar ishullin e Sazanit, mediet helene: Nuk është hera e parë që ndihmojmë Shqipërinë

schedule10:00 - 7 Qershor, 2022

schedule 10:00 - 7 Qershor, 2022

Pas dërgimit të avionit grek tip Canadair CL 415 për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit, që ka përfshirë ishullin e Sazanit prej katër ditësh, mediet helene kanë raportuar për  ndihmën që Athina zyrtare i solli vendit tonë.

“Vendi ynë iu përgjigj menjëherë kërkesës së autoriteteve shqiptare, nëpërmjet Mekanizmit Evropian të Mbrojtjes Civile, për ndihmë, pasi një zjarr i madh po ndodh në ishullin e Sazanit në hyrje të Gjirit të Vlorës”, thuhet në njoftimin e Sekretariatit të Përgjithshme për Mbrojtjen Civile në Greqi.

Lexo edhe: VIDEO/ Momenti kur avioni Canadair i Greqisë ndërhyn për të shpëtuar Sazanin nga flakët

Sipas autoriteteve greke në momentin e parë të kërkesës, me urdhër të Ministrit të Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile, Christos Stylianidis , Greqia vendosi në dispozicion të Mekanizmit një avion Canadair CL – 415 , i cili nisur drejt Shqipërisë.

Në artikull theksohet gjithashtu se kjo nuk është hera e parë që Greqia ndihmon vendin tonë në raste të tilla, duke kujtuar zjarret e përmbytjet në vitin 2017 si dhe tërmetin e 2019-ës.

Sipas zougkla.gr Greqia ka ndihmuar disa herë Shqipërinë, si për përballimin e zjarreve në pyje duke dërguar mjete ajrore (2017), ashtu edhe në rastet e përmbytjeve (2017) dhe tërmeteve (2019).

Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi bëri  me dije se Greqia e cila i është përgjigjur pozitivisht kërkesës për të sjellë avion tip Canadair CL 415 për shuarjen e zjarrit në Sazan.

“Greqia iu përgjigj menjëherë pozitivisht kërkesës sonë për të angazhuar sot, herët në mëngjes një avion tip Canadair CL 415 për shuarjen e zjarrit në Sazan. Ekspertët  vlerësuan se është e nevojshme ndërhyrja nga ajri, por thelbësore mbetet puna e forcave në terren. Mirënjohje partnerëve tanë të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE për ndihmën e pakursyer në emergjenca të tilla dhe jo vetëm”, njofton ministri i Mbrojtjes në rrjete sociale.

Lexo edhe: Sazani “përpihet” nga flakët, dëgjohen shpërthime në zonë, pse nuk ndërhyhet nga ajri?

Prej 4 ditësh që ishulli i Sazani është në flakë, ekipeve të zjarrfikësve u janë bashkuar dhe dhjetëra forca ushtarake, të cilët po mundohen të shuajnë zjarrin me degë pemësh e lopata. Operacioni është i vështirë për shkak të terrenit të thyer. Dje ministria e Mbrojtjes tha se i kanë helikopterët për të ndërhyrë por nuk sqaroi arsyen se përse nuk u veprua.

Për Drejtorin e Përgjithshëm të Emergjencave Civile Haki Çako, helikopteri për të montuar nga ajri, u gjet. Ka qenë ministri Niko Peleshi i cili postoi në facebook inspektimin e Çakos. Përballë kritikave të opinionit publik për mos ndërhyrje nga ajri, Peleshi tha se forcat e ushtrisë po krijojnë breza të shpyllëzuara rreth vatrave të zjarrit.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!