Ka marrë fund në mënyrë të papritur aventura e Jurgen Klinsmann si trajner i Hertha Berlin. Gjermani i njohur pranoi drejtimin e ekipit kryeqytetas 27 nëntorin e vitit të kaluar dhe largohet pas gati 10 javësh. Bild raporton se ish-sulmuesi i famshëm do të vazhdojë të jetë pjesë e bordit mbikëqyrës të klubit, ashtu siç ishte planifikuar në fillim. Klinsmann e ka dhënë lajmin e dorëheqjes me anë të një postimi në rrjetet sociale.
“Dua t’u falënderoj të gjithëve nga zemra, lojtarët, tifozët dhe të gjithë që kanë lidhje me Hertha Berlin, për mbështetjen që më keni dhënë në këto 10 javë. Në nëntor plotësova dëshirën e drejtuesve dhe e kaluam së bashku momentin e vështirë. Tani jemi 6 pikë mbi zonën e ftohtë falë mbështetjes së të gjithëve dhe jam i bindur që Hertha do të qëndrojë në Bundesligë.
Sidoqoftë, si trajner, kam nevojë edhe për besimin e njerëzve të përfshirë në këtë detyrë, që ende nuk ka përfunduar. Uniteti, kohezioni dhe vëmendja ndaj gjërave thelbësore, janë elementët më të rëndësishëm, veçanërisht në betejën për qëndrimin në kategori. Nëse ato nuk janë të garantuara, unë nuk mund të përdor potencialin tim si trajner dhe për këtë arsye nuk mund të plotësoj përgjegjësitë e mia.
Prandaj, pas shumë diskutimeve, unë arrita në përfundimin për të dhënë dorëheqjen nga roli i trajnerit. Tifozët, lojtarët dhe stafi teknik, janë kthyer shumë të çmuar për mua dhe do vazhdoj të emocionohem për Herthën“, përfundon Klinsmann. /abcnews.al