Avantazhi i PS-së në bashkitë e para, Nazarko: Ja çfarë tregon rezultati i zgjedhjeve deri tani

schedule20:37 - 14 Maj, 2023

schedule 20:37 - 14 Maj, 2023

Analisti Mentor Nazarko thotë se rezultatet në Elbasan, Kamzë dhe Vorë, ku Partia Socialiste kryeson, përbëjnë një tregues të qartë se është thuajse e pamundur që t’i marrë pushtetin bashkiak, një partie që ka edhe pushtetin qendror, pavarësisht nëse aty në favori tënd, luan tradita, luan të qenurit bastion.

Për ABC News, Nazarko u shpreh se gara elektorale është karakterizuar nga shumë rrethana, ku nënvizoi edhe përçarjen e opozitës.

Sipas tij, konfirmohet ajo që është traditë e konsoliduar e zgjedhjeve në Shqipëri, që kush ka pushtetin qendror, kryesisht i fiton edhe ato lokale.

“Edhe me Elbasanin ka pasur periudha që ka qenë bastion i PD-së, pastaj është bërë bastion i PS-së, pra ka qenë nga ato bashkitë e luhatshme, Kamza ka qenë historikisht bastion i PD-së, me përjashtim të periudhës së bojkotit të Partisë Demokratike. Nëse konfirmohet përfundimisht ky rezultat, është tregues i qartë që është shumë e vështirë, thuajse e pamundur që t’i marrë pushtetin bashkiak, një partie që ka edhe pushtetin qendror, pavarësisht nëse aty në favori tënd, luan tradita, luan të qenurit bastion. Për më shumë në këto rrethana që kanë karakterizuar këtë garë elektorale ku opozita është e përçarë. Unë e kam konsideruar këtë ballafaqim elektoral, si të dominuar nga interesat.

Jemi në kushtet ku nuk ka më ndarje ideologjike, kur partitë, veçanërisht Partia Socialiste ka dëftyer një qasje pragmatike dhe është orientuar kësisioj në kënaqjen e interesave të një grupi sa më të madh votuesish, apo faktorëve socialë, faktorëve ekonomikë, duke afruar figura që rrezatojnë në të dy kampet kryesore politike dhe kjo është një strategjji fituesi. Konfirmohet ajo që është traditë e konsoliduar e zgjedhjeve në Shqipëri, që kush ka pushtetin qendror, kryesisht i fiton edhe ato lokale”, theksoi ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!