Tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga Afganistani po përshpejtohet. Planifikuesit ushtarakë thonë se thuajse gjysma e pajisjeve dhe trupave amerikane janë kthyer në SHBA ose shkatërruar.
Komanda Qendrore amerikane tha të martën se tërheqja është “përmbushur në masën 30-44%” dhe se gjashtë objekte u janë dorëzuar forcave afgane të sigurisë. Në ditët dhe javët në vazhdim autoritetet afgane do të marrin në dorë një numër bazash të tjera.
Në total, SHBA ka nxjerrë nga Afganistani “një sasi të barabartë me ngarkesën që mbajnë 300 avionë ushtarakë transporti të tipit C-17, secili prej tyre tranporton rreth 77 tonë.
Ndërkaq, të martën agjencia franceze e lajmeve Agence France Press citoi zyrtarë afganë e amerikanë sipas të cilëve, SHBA do t’ia dorëzojë Bazën Ajrore në Bagram qeverisë afgane në 20 ditët e ardhshme.
Baza ka shërbyer si koomanda qendrore dhe qendra e kontrollit për operacionet ajrore në Afganistan.
Presidenti Joe Biden njoftoi në prill se të gjitha forcat amerikane do të jenë larguar plotësisht nga Afganistani në fillim të shtatorit, duke i dhënë fund një angazhimi 20 vjeçar për të luftuar talebanët dhe al-Qaidën.
SHBA kanë thënë se do të vazhdojnë të mbështesin autoritetet e Kabulit, por shtojnë se pjesa më e madhe e ndihmave do të jetë financiare./VOA